BE-ja vendos: “Rezoluta për zgjedhjet në Serbi miratohet, bëhet thirrje për hetim ndërkombëtar!”

1 minute, 16 seconds Read

Deputetët e Parlamentit Evropian të enjten kanë miratuar Rezolutën ku kërkohet hetim ndërkombëtar për parregullsitë e raportuara në zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi më 17 dhjetor.

Pro rezolutës kanë qenë 461 eurodeputetë. Kundër kanë votuar 53 deputetë.

Prej eurodeputetëve sa ishin në sallë 43 prej tyre kanë abstenuar.

Parlamenti Evropian përmes rezolutës tashmë të miratuar i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që ta dërgojë një mision ekspertësh në Serbi, i cili do të vlerësonte situatën dhe kështu do të vendoste themelet për një dialog social që do të rivendoste besimin tek institucionet.

Në rezolutë dënohet edhe mungesa e përgjigjes nga institucionet serbe ndaj dyshimeve të rënda për përfshirjen e qeverisë në manipulime dhe abuzime zgjedhore, “që rezulton në mosndëshkim dhe garanton vazhdimësinë e kësaj praktike”.

Rezoluta gjithashtu fton institucionet që të hetojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit për çdo akt kriminal gjatë zgjedhjeve, si dhe sulme ndaj studentëve.

Ndër të tjera eurodeputetët në rezolutë kanë bërë thirrje për pezullimin e financimit të Serbisë nga BE-ja nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të zbatojnë rekomandimet kryesore zgjedhore ose nëse gjetjet e hetimit tregojnë se autoritetet serbe ishin të përfshira drejtpërdrejt në vjedhjet e zgjedhjeve.

Qeverisë së Serbisë i kërkohet gjithashtu që të bashkëpunojë plotësisht dhe në thelb me OSBE-në, Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Publikime te ngjashme