Ambasada e ShBA-së: Jemi të shqetësuar për palët që mund të pengojnë përparimin e Malit të Zi, bëjmë thirrje për kujdes

2 minutes, 52 seconds Read

“Si aleat i NATO-s, ne jemi të shqetësuar se partitë që historikisht nuk i mbështesin këto synime të deklaruara mund të pengojnë përparimin e Malit të Zi”, kanë thënë nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi.

Këto komente, ambasada e ShBA-së i ka bërë pas formimit të qeverisë së re malazeze, pjesë e të cilës është edhe koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb.

“Ne bëjmë thirrje për kujdes në mënyrë që Mali i Zi ta shfrytëzojë këtë mundësi historike për të realizuar potencialin e tij të plotë demokratik dhe ekonomik”, thuhet në reagimin e tyre.

“Me marrjen e sotme të detyrës nga Qeveria e re e Malit të Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin shtetin dhe qytetarët e Malit të Zi në procesin e progresit drejt anëtarësimit në BE dhe ruajtjes së vlerave euroatlantike”.

Sipas ShBA-ve, qeveria e re, që drejtohet nga lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, Milojko Spajiç, duhet të jetë përgjegjëse për qëllimet e veta të përcaktuara – “anëtarësimi i plotë i Malit të Zi në Bashkimin Evropian; anëtarësim aktiv dhe i besueshëm në aleancën e NATO-s; përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë; dhe forcimin e rolit të vendit tonë në organizatat shumëpalëshe”.

“Shpresojmë të shohim se si qeveria e sapoformuar bën përparim të shpejtë në përmbushjen e detyrimeve të saj, duke avancuar vendin në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe duke mbetur një aleat i fortë në NATO”, shtoi Ambasada.

Një nga liderët e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, Andrija Mandiç – i cili Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin-in, e kishte quajtur president të tij – në bazë të marrëveshjes qeverisëse, është zgjedhur kryetar i ri i kuvendit malazez.

Prandaj, nga ambasada amerikane theksuan se do të mbështesin dhe njohin veprimet konstruktive të Kuvendit dhe Qeverisë së re, por edhe shprehin shqetësimin e tyre për aktivitetet që, siç thonë ata, “në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe që pengojnë progresin e prekshëm drejt integrimit në BE”.

“Pritshmëritë janë të mëdha dhe presim që mund dhe do të realizohen”, theksohet ndër të tjera në reagimin e ambasadës së ShBA-së në Podgoricë.

Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes “Evropa Tani (PES)”, mëngjesin e të martës është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi.

Për zgjedhjen e Spajiçi-it në krye të qeverisë së 44-të malazeze kanë votuar 46 deputetë pro, 19 kundër dhe një abstenim.Për zgjedhjen e qeverisë së re votuan deputetët e PES-it, koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – Demokratëve, Partisë Popullore Socialiste dhe partive shqiptare.

Në kabinetin e tij, do të jenë edhe tre shqiptarë, derisa njëri prej tyre, bartësi i listës së Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj do jetë zëvendëskryeministër.

Spajiç në pozitën e kryeministrit do ta zëvendësojë Dritan Abazoviç-in e Lëvizjes Qytetare “URA”, i cili së bashku me Partinë Demokratike të Socialisteve dhe boshnjakët do jetë në opozitë.

 

Publikime te ngjashme