Mesazhi i prerë i Zemajt për Abdixhikun: Koha për zgjedhje në LDK, formimi i qeverisë i mbetet Kurtit

3 minutes, 7 seconds Read

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i ka drejtuar një thirrje të hapur kryetarit të partisë për mbledhjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Ai kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të brendshme, duke theksuar se ky është hapi i vetëm për t’i hapur rrugë fitoreve të reja të LDK-së.

Ndërkohë, Zemaj ka bërë një ndarje të qartë mes situatës së brendshme partiake dhe krizës për formimin e institucioneve të reja paszgjedhore. Ai theksoi se këto janë dy procese tërësisht të ndryshme dhe ngërçi qeveritar nuk duhet përdorur si mbulesë për problemet në parti.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

“Thirrja ime më e sinqertë për kryetarin është që të ulet, të thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe të shpallë zgjedhjet e reja. Vetëm kështu i hapim rrugë rikthimit dhe fitoreve të LDK-së,” u shpreh ai gjatë një interviste në “Debat Plus”.

Më tej, deputeti e konsideroi të padrejtë tendencën për t’i hedhur fajin një partie të tretë për mungesën e institucioneve. Ai nënvizoi se përgjegjësia ekskluzive për konsolidimin e tyre i takon partisë fituese dhe mandatarit për formimin e qeverisë.

“Konstituimi i institucioneve është krejtësisht diçka tjetër. Është një qasje thellësisht e gabuar që ne si parti e tretë të bëhemi fajtorë pse vendi mbetet pa institucione pas zgjedhjeve. Ky është thjesht një justifikim, pasi mundësinë për të bërë qeverinë e ka Albin Kurti, jo LDK-ja,” sqaroi ai.

Duke kujtuar të kaluarën e afërt, Zemaj deklaroi se LDK-ja vazhdimisht ka treguar vullnet për bashkëpunim institucional. Ai solli në vëmendje përpjekjet dhe gatishmërinë e partisë së tij, veçanërisht lidhur me çështjen e zgjedhjes së një presidenti konsensual.

“Sa negociata kemi zhvilluar me Albin Kurtin? Sa herë i kemi dhënë shanse dhe kemi kërkuar një president konsensual, duke ofruar që 15 deputetë tanë ta mbështesin publikisht? Këto akuza ndaj nesh janë vetëm retorikë dhe mashtrime të Lëvizjes Vetëvendosje, që fshehin paaftësinë dhe mungesën e guximit për të formuar institucionet,” theksoi deputeti.

Për sa i përket së ardhmes së LDK-së, Zemaj apeloi për rikthimin e identitetit të mirëfilltë politik të partisë, si dhe për hapjen e dyerve ndaj gjeneratave të reja.

“LDK-ja i ka dhënë të gjitha shanset. Nuk mund të paragjykoj se kush do të vijë në krye, por unë e kam një preferencë. Shoh një profil të qartë: dikë që e njeh thellë LDK-në, që e do atë, që ka aftësinë të bashkojë gjeneratat dhe ta hapë partinë për prurje të reja,” shtoi ai.

Zemaj theksoi se lidershipi i ardhshëm duhet t’i rikthejë LDK-së dinjitetin dhe peshën e saj historike. Sipas tij, kryetari i ri duhet ta shohë partinë me një identitet të fuqishëm dhe të pavarur.

“Na duhet një figurë që përqafon rugovizmin, që e sheh LDK-në si forcë të parë politike dhe jo si një patericë për të tjerët. Një lider që ka identitetin e vet, që nuk pranon kapjen e shtetit as të prokurorisë, që lufton korrupsionin dhe mbron me vendosmëri institucionet si ushtria dhe FSK-ja,” deklaroi Zemaj me bindje.

Në përfundim, ai u shpreh optimist për potencialin e brendshëm të partisë, duke nënvizuar se LDK-ja ka kuadro të mjaftueshme për të garuar në një proces zgjedhor të drejtë.

“Lidhja Demokratike ka emra të shumtë dhe me peshë. Të gjithë këta personalitete mund të jenë pjesë e një gare të mirëorganizuar dhe demokratike,” përfundoi ai./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme