Izraeli ka pranuar propozimin e presidentit amerikan Joe Biden për një armëpushim për luftën në Gaza, ndonëse nuk e vlerëson si një marrëveshje të mirë.
“Një marrëveshje për të cilën ramë dakord – nuk është një marrëveshje e mirë, por ne duam shumë që pengjet të lirohen, të gjithë”, tha Ophir Falk, këshilltari kryesor për politikën e jashtme të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut.
Ai në një intervistë për Sunday Times, tha se ka shumë detaje për t’u përpunuar.
Falk vuri në dukje se nuk kanë ndryshuar kushtet izraelite, të cilat “kanë për qëllim lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit si një organizatë terroriste gjenocidale”, raporton Reuters.
Biden, të premten transmetoi atë që ai e përshkroi si një plan trefazor të paraqitur nga qeveria Netanyahu për t’i dhënë fund luftës.
Faza e parë përfshin një armëpushim dhe kthimin e disa pengjeve të mbajtura nga Hamasi, pas së cilës palët do të negociojnë për një ndërprerje të hapur të armiqësive për një fazë të dytë në të cilën robërit e mbetur të gjallë do të lirohen, tha Biden.
Hamasi ka mirëpritur përkohësisht nismën e presidentit amerikan.
“Fjalimi i Bidenit përfshinte ide pozitive, por ne duam që kjo të materializohet brenda kornizës së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që plotëson kërkesat tona”, tha zyrtari i lartë i Hamasit Osama Hamdan, për Al Jazeera të shtunën.
Hamasi kërkon një fund të garantuar të ofensivës në Gaza, tërheqje të të gjitha forcave pushtuese, lëvizje të lirë për palestinezët dhe ndihmë për rindërtim. Zyrtarët izraelitë e kanë kundërshtuar këtë si një rikthim efektiv në situatën para 7 tetorit, kur Hamasi, sundonte Gazën.