Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zyrtarisht ka anuluar vizitën e delegacionit izraelit për në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, raporton “BBC”.
Zyra e Netanyahut ka thënë se vendimi është marrë pas ndryshimeve “në qëndrimin e SHBA-së”.
Izraeli ka shprehur zhgënjimin që SHBA-ja nuk ushtroi veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të penguar që të miratohej një rezolutë për armëpushim në Gaza.
Zyra e Netanyahut tha se “ka qenë tërheqje e qartë e SHBA-së” nga qëndrimi i kaluar.
SHBA-ja vendosi të abstenonte, por në KS të OKB-së u miratua me 14 vota pro një rezolutë që kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
Rezoluta ishte propozuar nga 10 anëtare të zgjedhura të Këshillit të Sigurimit: Algjeria, Sierra Leone, Mozambiku, Koreja e Jugut, Japonia, Sllovenia, Guajana, Ekuadori, Malta dhe Zvicra.
SHBA-ja ka thënë se abstenimi nuk ishte ndryshim i politikës.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja abstenoi pasi rezoluta nuk përmbushte kërkesat që i kishte SHBA-ja.
Ai tha se SHBA-ja do të vazhdojë të flasë me Izraelin, por ka shprehur zhgënjimin për anulimin e vizitës së delegacionit izraelit.
“SHBA-ja është shumë e zhgënjyer se Izraeli nuk do të dërgojë një delegacion në Washington për të pasur një diskutim të plotë për Rafahn”, ka thënë Kirby.
Delegacioni izraelit ishte paraparë të udhëtonte në SHBA për të diskutuar për ofensivën e planifikuar të Izraelit në Rafah, ku gjenden rreth 1.3 milionë palestinezë të zhvendosur nga pjesët tjera të Gazas.