Në një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të lidhjeve ndërinstitucionale dhe përmirësimit të cilësisë së arsimit juridik në Kosovë, Oda e Avokatëve të Kosovës – Dega Regjionale në Prizren e përfaqësuar nga kryetari Blerim Mazreku, ka nënshkurar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Kjo marrëveshje, e shënuar me nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi, shënon një kapitull të ri në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Ky memorandum, i cili u nënshkrua në një ceremoni të veçantë mes kryetarit të Degës Regjioniale të OAK-së në Prizren Blerim Mazreku dhe Rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti në Prizren” Mentor Alishani, synon të thellojë marrëdhëniet midis Odës së Avokatëve dhe Universitetit, duke i hapur rrugë një shkëmbimi të gjerë të ekspertizës, përvojës dhe resurseve. Me këtë bashkëpunim, do të lehtësohet zhvillimi i programeve të përbashkëta trajnuese dhe praktikave për studentët e juridikut, si dhe do të ndihmojë në ngritjen e standardeve të arsimit dhe praktikës ligjore në Kosovë.
Në fokus të kësaj marrëveshjeje është gjithashtu përkushtimi për të ndihmuar studentët të marrin përvojë praktike dhe njohuri të drejtpërdrejta nga profesionistët në fushën e drejtësisë. Ky bashkëpunim do të ndikojë pozitivisht në përgatitjen e studentëve për sfidat e tregut të punës dhe do të kontribuojë në formimin e avokatëve dhe profesionistëve të ardhshëm të drejtësisë me një bazë të fortë akademike dhe praktike.
Oda e Avokatëve dhe Universiteti “Ukshin Hoti” shpresojnë që kjo marrëveshje të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të frytshëm bashkëpunimi, që do të sjellë përfitime jo vetëm për të dyja institucionet, por edhe për studentët, profesionistët e drejtësisë dhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi.