Tre persona tjerë janë arrestuar të dielën në lidhje me kërcënimet për një sulm në Katedralen e Koelnit gjatë festave të fundvitit, kanë njoftuar autoritetet gjermane, raporton agjencia “AP”.
Arrestimet erdhën vetëm disa ditë pasi një 30-vjeçar nga Taxhikistani u arrestua në lidhje me planifikimin e një sulmi në katedralen e famshme botërore në qytetin perëndimor gjerman.
Tre persona u arrestuan të dielën në qytetet Duisburg, Herne dhe Dueren, dhe apartamentet e tyre u bastisën. Nuk janë zbuluar identitetet e tyre.
Gjithë të dyshuarit – përfshirë edhe shtetasi i Taxhikistanit i arrestuar javën e kaluar – i takonin një rrjeti të gjerë që përfshinte njerëz nëpër Gjermani dhe shtetet tjera evropiane, ka thënë shefi i policisë së Koelnit, Johannes Hermanns.
Sulmi ishte planifikuar të bëhej me një veturë të mbushur me eksplozivë, kanë njoftuar mediumet lokale gjermane.
Policia ka thënë se ka kontrolluar gjithë zonën rreth Katedrales së Koelnit, por nuk ka gjetur ndonjë gjë të dyshimtë.
Policia kishte marrë informata për një sulm të planifikuar nga militantë islamistë pak para Krishtlindjeve. Sulmi ishte paraparë të kryhej në natën e Vitit të Ri.