Janjiq thotë se Vuçiç një ditë do ta njoh Kosovën, s’është i çmendur të dalë kundër botës!

1 minute, 16 seconds Read

Analisti serb, Dushan Janjiq, deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do të dalë kundër NATO-s dhe Bashkimit Evropian, me ç’rast sipas tij, ai do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Janjiq u shpreh të mërkurën në Euronews se Vuçiqi do të bëjë lojën e tij, por nuk është i çmendur në vendime të tilla.

“Më e rëndësishmja është të harmonizosh qëndrimet e të dyja palëve, për një integrim evropian dhe euroatlantik. Vuçiç është president, politikan, do luajë lojën e tij, por nuk është i çmendur. Ai nuk do të shkojë kundër botës, NATO-s dhe BE-së. Këto janë mundësitë për Serbinë”, tha Janjiq.

Sipas analistit serb, në Ballkan nuk do të ketë luftë, ndërsa dialogu duhet të vazhdojë për t’u arritur normalizim afatgjatë i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo çështje (dialogu v.j.) është diçka që ka nisur në vitin 2010. Tani jemi në 2023-n dhe po flasim për normalizim të abnormalitetit, apo për reformimin e qasjeve të të gjitha palëve, jo vetëm të Prishtinës e Beogradit, por edhe të BE-së. Duhet të zgjedhim një qasje amerikano-britanike për ulje të krizës. Normalizimi të jetë afatgjatë, por është proces që zgjat mbi 20 vjet. Duhet të tregohemi më pragmatistë”, deklaroi ai.

Janjiq shtoi se duhet të diskutohet si të zhvillohet dialogu politik mes palëve dhe çka çoi në vendosjen e barrikadave.

Publikime te ngjashme