Prokuroria Speciale kërkon masë paraburgimi për Millenkoviqin që u arrestua në veri

1 minute, 3 seconds Read

Prokuroria Speciale sot (e mërkurë) ka bërë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të arrestuarit serbë, Millun Millenkoviq – Llune, i cili dyshohet për organizimin e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës dy javë më parë në Zveçan.

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.

“Prokuroria Speciale sot ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ndaj Millun Millenkoviq, tash i mbetet gjykatës të caktojë sa do të jetë ajo masë”, ka thënë Lutfiu.

Po ashtu, ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla kishte bërë të ditur se Policia ka arrestuar Millun Millenkoviqin, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijës i bandave kriminale që “ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, arrestimi i tij nxiti protestat e serbëve lokalë të martën, me ç’rast janë sulmuar policët e Kosovës, tre prej të cilëve pësuan lëndime./Telegrafi

Publikime te ngjashme