Connect with us

Kosovë

Walker: Masakra e Reçakut bëri botën ta kuptonte se çfarë po ndodhte në Kosovë

Publikuar

me

Ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka thënë se është i lumtur se me çdo vit po rritet numri i njerëzve që po marrin pjesë në homazhe në përvjetorin e masakrës së Reçakut.

Walker ka thënë se çdo vit në Kosovë vjen edhe për të parë përparimin në Reçak, Shtime e po ashtu në Kosovë dhe secilën herë largohet me përshtypje pozitive.

“15 janari i vitit 1999, ishte një ditë me mot të tmerrshëm, kishte borë, akull, ishte e vështirë të ngjiteshim në vendin ku ishin trupat që ishin vrarë një natë më parë. Sot, shikoj diellin duke ndriçuar, qiellin e katër, kjo simbolizon se gjërat definitivisht kanë ndryshuar, jo vetëm simbolikisht”, ka thënë Walker.

Ai tha se ka marrë pjesë ndoshta në 15 ceremoni, ndërsa thotë se vjen kryesisht për të parë njerëzit e fshatit Reçak.

“Shumë prej tyre nuk janë më me ne. Ishin të moshuar atëherë, në moshë time. Por, më pëlqen të shoh shumë fëmijë. Këtë vit kur ecëm te varret, nuk isha në gjendje të dalloja se cilat ishin familjet e viktimave e cilët ishin njerëz që duan të tregojnë respektin”, tha Walker.

Walker ka thënë se Masakra e Reçakut ishte moment kthese për Kosovën.

“Jo se ishte masakra e parë apo e fundit në këtë vend, por për një numër arsyesh gjërat u bënë bashkë. Ditën tjetër e gjithë bota e kuptoi për Reçakun. Ishte në ballina të gjithë botës. Në Serbi, Qeveria e Beogradit e z. Milosheviq dhe z. Vuçiq, nisën të bëjnë gjërat që të kujdeseshin që bota të mos dëgjonte për Reçakun apo ta pranonte versionin e tyre. Por, falë Zotit kjo nuk ndodhi. Mediumet botërore erdhën, transmetuan pamjet e asaj që po ndodhte në Kosovë, e si rrjedhojë erdhi intervenimi i NATO-s. Është fantastike të shoh atë që është bërë me Reçakun sot, është një vend që ka rëndësi të madhe për mua”, tha Walker.

Ai tha se sot ka sjellë shokë të ngushtë dhe ka dashur që edhe ata të shohin se çfarë do të thotë dhe çfarë rëndësie ka Kosova për të.

Reklama