Walker: Duke e toleruar vazhdimisht Serbinë, nuk do të ketë qetësi në veri të Kosovës

2 minutes, 3 seconds Read

Ish-Shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mungesën e pjesëmarrjes së komunitetit serb në zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës. Walker ka shprehur keqardhje për sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe presionin e vazhdueshëm.

Lidhur me organizimin e zgjedhjeve të reja në komunat veriore, Walker është shprehur se është e rëndësishme që kjo të ndodhë, por sipas tij, Beogradi duhet të marrë përgjegjësinë kryesore për tensionet e krijuara në veri të Kosovës.

“Pyetja ime është pse serbët nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale në katër komunat veriore? Pse ata po vazhdojnë të marrin urdhra nga Beogradi? E kuptoj që pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte shumë e ulët, por ata kryetarë erdhën përmes votës andaj ata duhet ta ushtrojnë detyrën në objektet e komunës. Siç mund ta shihni tani komuniteti ndërkombëtar po kërkon zgjedhje reja në katër komunat veriore dhe kjo realisht pritet ndodhë, por për mendimin tim Beogradi bart përgjegjësinë kryesore për këto tensione të krijuara në veri të Kosovës” , tha Walker.

Më tej ai ka kritikuar sanksionet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ndaj Kosovës në rezultat të këtyre zhvillimeve. Ai thotë se nuk kupton presionin që po i bëhet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Si rezultat i këtyre zhvillimeve Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj Kosovës. Sinqerisht nuk jam duke e kuptuar këtë presion që po i bëhet tash e sa kohë kryeministrit Albin Kurti. Ky presion nga SHBA-të nuk po bëhet ndaj vetëm ndaj kësaj qeverie, por edhe atyre të mëparshme. Albin Kurti është kryeministër i Kosovës, ai ka marrë mbështetje që të bëjë më të mirën për vendin dhe konsideroj se është duke e bërë këtë gjë. Me vjen keq që si rezultat i këtyre zhvillimeve janë dëmtuar raportet me SHBA-të, me aleatin më të rëndësishëm që ka Kosova. Në anën tjetër duke e toleruar vazhdimisht Serbinë me këto veprime asnjëherë nuk do të ketë qetësi në veriun e Kosovës”, – tha ai për TëVë1.

Publikime te ngjashme