Vlera e festës së Fitër Bajramit

2 minutes, 32 seconds Read

Muslimanët kanë dy festa, dy bajrame, Bajramin e Ramazanit dhe Bajramin e Kurbanit. Këtë qartë e ka theksuar Muhammedi a.s. në një hadith të tij.

Kjo festë ka edhe përmbajtjen e saj, gëzimin, harenë, në çka tregon edhe shembulli i Ebu Bekrit r.a., i cili me një ditë bajrami e vizitoi të bijën e tij, Aishen r. anha, në shtëpinë e Muhammedit a. s.

Aty takoi dy shërbëtore që këndonin në shenjë feste. Ebu Bekri r. a., i prekur nga kjo gjendje, si baba, e qortoi Aishen r. anha, duke bërtitur: “Vallë, kënga në shtëpinë e Pejgamberit të Zotit?! Pejgamberi i Zotit, i kthyer me shpinë nga ana tjetër, u kthye dhe tha: “O Ebu Bekër, lëri! Çdo popull i ka festat e veta, kurse kjo është festa (bajrami) jonë.” (Buhariu dhe Muslimi, në: Muhammed Abdullah Draz, Agjërimi i Ramazanit, Prishtinë, 1987).

Bajrami i parë i Muhammedit a. s. ka qenë në vitin e dytë hixhri, në çka tregon hadithi në të cilin Enesi transmeton se “Pejgamberi i Allahut erdhi në Medinë, kurse banorët e saj kishin dy festa nga koha e injorancës, gjatë së cilave ditë ata argëtoheshin. Pejgamberi a. s. i pyeti: “Cilat janë këto dy ditë?’, kurse ata u përgjigjen: ‘Dy ditë në të cilat ditë jemi argëtuar gjatë kohës së injorancës.” Në këtë Pejgamberi i Zotit tha: “Allahu ua ka zëvendësuar ato festa me dy festa më të mira: atë të Kurbanit dhe të Ramazanit.’” (Ebu Davudi, hadithi është sahih.)

Besimtarët musliman, përkatësisht shënojnë edhe disa data të tjera, si: Bedrin, Çlirimin e Mekës, Kadrin, Mi’raxhin, Mevludin etj. Në këto ditë agjërohet, lexohet Kur’an, bëhet namaz nafile e veprime tjera të pëlqyera. Disa grupe minore thonë se këto nuk janë festa dhe se janë haram (bid’ate) të festohen.

Përgjigjja është se këto data nuk janë detyrime fetare, por data që muslimanët i kujtojnë për të mirë dhe në këtë emër këndojnë Kur’an, agjërojnë, bëjnë ibadete të ndryshme, ndajnë sadakë, jo si festa por si ditë që duhet ta mbajnë gjallë kujtesën e muslimanëve. Me këtë veprim ata nuk kryejnë asnjë shkelje të dispozitave, përkundrazi, shtojnë intensitetin e ibadeteve dhe zbusin zemrat para egoizmit.

Shpërndarja e sadakat’ul-fitrit (dhe zekatit) për Fitër Bajram

Koha e fundit për ta dhënë sadakt’ul-fitritn në institucionet e Bashkësisë Islame është namazi i Bajramit. Në rrethanat e atëhershme, Muhammedi a.s. ka urdhëruar që sadaka të ndahet para namazit. Për shkak të rrethanave të tjera të banimit, të urbanizimit të qyteteve etj., kohëve të fundit sadakat’ul-fitri organizohet ndryshe, tubohet më herët nga institucioni i Bashkësisë Islame, me triska, sipas kategorive të ndryshme, që i përgjigjet standardit të besimtarëve.

Publikime te ngjashme