Mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ka njoftuar se nuk do të thërrasë dëshmitarë, pas rrëzimit të mocionit të tyre bazuar në Rregullën 130, e cila mundëson kërkesën për hedhjen poshtë të akuzave në aktakuzë.
Në kontrast me vendimin e tyre, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi kanë konfirmuar se do të paraqesin dëshmitarë në mbrojtjen e tyre.
Të katër ekipet mbrojtëse i komunikuan qëndrimet e tyre trupit gjykues më 16 korrik 2025, raporton lajmishqip.
“Në përputhje me Urdhrin e Panelit Gjyqësor dhe në pajtim me Rregullën 119 (1) të Rregullave, Mbrojtja për z. Hashim Thaçi (“Mbrojtja”) njofton për qëllimin e saj për të paraqitur një çështje të Mbrojtjes”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes së Thaçit, ndërsa një qëndrim i ngjashëm është paraqitur edhe nga mbrojtja e Krasniqit.
Ndërkaq, në parashtresat e tyre, mbrojtjet e Veselit dhe Selimit kanë bërë të ditur se heqin dorë nga kjo e drejtë.
“Mbrojtja njofton këtu Panelin dhe Prokurorinë se nuk ka ndërmend të paraqesë një çështje të Mbrojtjes, dhe se z. Veseli nuk ka ndërmend të japë dëshmi në mbrojtjen e tij…Prandaj, në përputhje me Rregullën 119 (1) dhe urdhrin e Panelit Gjyqësor, Mbrojtja për z. Selimi njofton se nuk ka ndërmend të paraqesë një çështje të Mbrojtjes”, thuhet në dy parashtrimet të dorëzuar ndaras nga mbrojtja e Selimit dhe e Veselit.
Më 16 korrik 2025, trupi gjykues në këtë çështje hodhi poshtë në tërësi mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e fakteve materiale lidhur me akuza për ngjarje para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999, në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, dorëzoi aktakuzën e konfirmuar dhe të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila i ngarkon ata me dhjetë pika për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor 2020, gjatë paraqitjeve të tyre fillestare, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi u deklaruan të pafajshëm për akuzat. Veseli bëri të njëjtën deklaratë më 10 nëntor, ashtu si edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ishte konfirmuar më 26 tetor 2020, raporton lajmishqip.