Urdhër-arresti ndërkombëtar e pengon Putinin të marrë pjesë në samitin e BRICS në Brazil

1 minute, 19 seconds Read

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të udhëtojë në Brazil për samitin e BRICS javën e ardhshme për shkak të urdhër-arrestit të lëshuar ndaj tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP). Në vend të tij, delegacionin rus do ta udhëheqë Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ndërsa Putin do të marrë pjesë përmes video-lidhjeje më 6 dhe 7 korrik.

Lajmin e konfirmoi ndihmësi i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, i cili deklaroi se qeveria braziliane nuk ofroi një qëndrim të qartë që do të garantonte imunitetin e presidentit rus gjatë vizitës.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arrestin në vitin 2023, duke akuzuar Putinin për krime lufte lidhur me pushtimin e Ukrainës. Megjithëse Rusia nuk e njeh autoritetin e kësaj gjykate dhe e konsideron urdhrin të pavlefshëm, Putin rrezikon të arrestohet nëse udhëton në një nga vendet anëtare të GJNP-së, siç është Brazili.

Ky vendim pason një rast të ngjashëm në vitin 2023, kur Putin mungoi në samitin e BRICS në Afrikën e Jugut, një tjetër vend anëtar i gjykatës.

Sipas raportimeve të mediave, edhe presidenti kinez Xi Jinping nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në samit, por arsyet për mungesën e tij nuk janë bërë të ditura.

BRICS është një forum bashkëpunimi ekonomik që përfshin dhjetë shtete: Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën, Afrikën e Jugut, Egjiptin, Etiopinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme