Tuneli hekurudhor gjigant në Prishtinë!

3 minutes, 7 seconds Read

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Prishtinë u ndërtua një tunel i gjatë hekurudhor. Por, tani ky tunel i gjatë prej disa kilometrash, nuk është funksional ashtu sikurse edhe linja hekurudhore. Banorët e fshatit Bërnicë e mbajnë në mend udhëtimin me tren përmes këtij tuneli që tani është shndërruar në deponi të bërllokut.

Shenja paralajmëruese për një tunel, nuk ka.

Edhe hekurudha që të çon atje, nuk është në gjendjen të mirë.

Por, disa metra me tutje shfaqet hyrja e një tuneli gjigant hekurudhor, që fillon në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Ky tunel prej disa kilometrave, u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa ishte aktiv, deri pas luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë tunel me tren disa herë udhëtoi edhe Ali Dragusha nga fshati Bërnicë.

Madje ky mban mend edhe kohën kur treni në këtë anë, ishte mjeti kryesor i transportit.

“Mjeti kryesor i transportit ka qenë treni me avull në ato vitet e hershme, po flas për vitet e 70-ta, e mandej edhe autobusi. Kjo hekurudhë e ka krye bartjen kryesore të anës së Llapit për në Prishtinë, dmth të punëtorëve, studentëve etj”, thotë Ali Dragusha banor.

Dragusha thotë se ka dëgjuar që ky tunel gjigant u ndërtua nga duart e banorëve të kësaj ane.

“Punëtorët e kësaj rrethine, kanë punu të gjithë, dmth kush ka qenë i gatshëm për punë. Sipas meje të ardhurat e para që kanë punuar diku në një punë të shtetit, ka qenë punëtorët e kësaj rrethine” thotë ai.

Dragusha thotë se gjatësia e tunelit mund të jetë deri në 3 km.

Ndërsa shton se dikur nga kureshtja banorët provonin ta kalonin tunelin në këmbë.

“Kemi tentuar disa herë me kalu në këmbë tunelin, po kemi arrit deri në gjysmë, sepse na është dukur larg”, ka treguar ky banor.

Ndërkohë ashtu sikurse hekurudha jashtë, edhe brendësia e tunelit tani nuk mirëmbahet.

Por në kohën që u ndërtua, ky tunel i plotësonte të gjitha kushtet.

Këto pika në tunel quheshin dollape, ndërsa shërbenin si strehim për personat që ndodheshin këtu, në rastet kur vinte treni, raporton Tëvë1.

E dalja nga ky tunel, është në fshatin Llukarë të Prishtinës.

Por, gjendja këtu duket akoma me e rëndë sesa në Bërnicë.

Tuneli që dikur shkurtoi kohën e udhëtimit, tani është shndërruar në një deponi bërlloku.

Ndërkohë, kureshtjen e banorëve e kanë shuar nga Infrakos.

Nga kjo ndërmarrje kanë treguar saktë gjatësinë e tunelit dhe vitin kur është ndërtuar

“Gjatësia e tunelit Bernicë i cili del në Llukarë të Prishtinës është 1586 m, ndërsa viti i ndërtimit është në 1936. Një pjesë e kësaj linje hekurudhore edhe sot është aktive Prishtinë – Fushë Kosovë ,Prishtinë – Bardhosh pjesa qe e përfshinë Tunelin ka qenë aktive për transport të mallrave deri në vitin 2011. Kjo Linjë të dërgon deri në Merdar Kufiri me Serbinë Gjatësia e kësaj linje është 45.05 km”, thuhet në përgjigjen e Infrakos.

Nga Infrakos po ashtu kanë thënë kjo linjë njihet si linja e 7-të hekurudhore, ndërsa për të ka filluar edhe projekt dizajni dhe në një të ardhme të afërt do të gjendet mundësia e financimit të saj bashkërisht me Qeverinë Kosovës.

Ndërsa në tërë rrjetin hekurudhor në territorin Kosovës janë 24 tunele me gjatësi totale të këtyre tuneleve prej 9.392,05 km.

Publikime te ngjashme