“Të shmangët çdo lëvizje e pakoordinuar që mund të prishë procesin”, Lajçak porosit Kurtin

2 minutes, 35 seconds Read

Emisari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, ka raportuar pas vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi, ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me personalitete politike të dy vendeve. Lajçak ka shprehur kënaqësinë e tij për kthimin në Bruksel, duke vlerësuar mundësinë për të përgatitur raundin e ardhshëm të takimeve të Kryenegociatorit në këtë proces të rëndësishëm. Lajçak ka bërë thirrje në përmbushjen e objektivave të dialogut Kosovë-Serbi dhe palët të përqendrohen në normalizimin e plotë marrëdhënieve.

Në takimin e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, Lajçak tha se është diskutuar për sfidat dhe pritshmëritë për takimin e ardhshëm në Bruksel.

Ai riktheksoi edhe një herë tjetër nevojën për të përqendruar përpjekjet në normalizimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, si dhe aneksit të saj të Ohrit. Emisari i BE-së ka theksuar rëndësinë e shmangies së çdo lëvizjeje të pakoordinuar që mund të ndërhyjë në procesin e dialogut.

“Diskutuam pritshmëritë për takimin e ardhshëm në Bruksel dhe theksova nevojën e fokusimit të plotë në normalizimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të Ohrit. Theksova gjithashtu rëndësinë e shmangies së çdo lëvizjeje të pakoordinuar që mund të prishë procesin.”

Në vazhdën e vizitës së tij në veri të Kosovës, emisari i BE-së për dialogun është shprehur i shqetësuar për zhvillimet e fundit dhe ka rikujtuar rëndësinë e shmangjes së tensioneve dhe eskalimit të situatës. Ai ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë fokusi kryesor në dialog.

“Më pas vazhdova vizitën në veri të Kosovës për t’u takuar me bashkëbisedues të ndryshëm nga shoqëria civile dhe partitë politike dhe për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit. Fatkeqësisht, ajo që dëgjova më shqetësoi. Prandaj, ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin.”

Lidhur me vizitën e tij në Beograd, Lajçak njoftoi se është diskutuar për implementimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit, me synimin e përgatitjes për takimin e ardhshëm në Bruksel. Emisari i BE-së shpreson që kryenegociatorët do të jenë të gatshëm për të arritur marrëveshje konkrete në rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes.

“Gjatë takimit tonë, ne diskutuam rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit për t’u përgatitur për takimin në Bruksel që do të zhvillohet nesër. Pres që të dy kryenegociatorët të jenë të gatshëm të bien dakord për hapat konkretë të ardhshëm drejt zbatimit të Marrëveshjes.”/GazetaSinjali

Publikime te ngjashme