Tahiri: Nuk votojmë asgjë, vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme

1 minute, 3 seconds Read

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do të votojnë asgjë në Kuvend, me qëllim që, siç u shpreh ai, vendi të shkojë në zgjedhje.

Tahiri u shpreh se sa më shpejtë duhet të largohet kjo qeveri, që ai e quajti të paaftë.

“Si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike, ne nuk do të votojmë, tani e tutje s’do t’i votojmë as marrëveshjet ndërkombëtare, e as projektligjet, as strategjitë dhe asgjë, me qëllimin e vetëm që sa më shpejt ta çojmë vendin në zgjedhje”, u shpreh ai.

Tahiri përsëriti se sa më parë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, në mënyrë që, siç u shpreh ai, të dilet nga kriza.

“Sa më shpejtë ta largojmë një qeveri të paaftë, një qeveri që tashmë ka krijuar një krizë jashtëzakonisht të madhe, një krizë të paimagjinueshme që munet me ardh Republika jonë dhe mund të ketë sanksione nga BE-ja dhe ShBA-ja, prandaj ne gjithë angazhimin tonë, potencialin tonë që e kemi, si në Kuvend, ashtu edhe jashtë do ta kemi që vendin tonë ta çojmë sa më parë në zgjedhje të jashtëzakonshme, në mënyrë që të dilet nga kriza”, u shpreh tutje ai.

Publikime te ngjashme