Skuadra shqiptare ka reaguar ashpër për këtë skandal që ka ndodhur sot.
“Pas skandalit në Vlladiçin Han po e shqyrtojmë braktisjen e garave!
Në ndeshjen e xhiros së 19-të, të cilën sot e filluam në Vlladiçin Han kundër ekipit vendës, Morava, për fat të keq as që e përfunduam.
Shkaktar kryesor ishte referi i kësaj ndeshje i cili me vendimet skandaloze për menjëherë (min.65) përjashtoi 3 futbollistë tanë me karton të kuq kurse gati të gjithë pjesën tjetër të ekipit e ndëshkoi me kartona të verdhë, andaj u detyruam ta ndërprejmë ndeshjen.
Këto sjellje të turpshme të referit, të papara në fushat e futbollit ishin krejtësisht të qëllimshme në mënyrë që ekipi ynë mos të ketë në dispozicion futbollistët e ekipit të parë për ndeshjet tjera.
Sidomos, synimet e referit ishin që t’ na dëmtojë në ndeshjen e radhës të cilën në fushën tonë e kemi kundër Allakincës.
Në ndeshjen e sotme është vënë kapaku në padrejtësitë të cilët po thuaj se në çdo ndeshje i kemi pasur në fushat mysafire.
Tashmë është bërë e sigurt se ekipi ynë është duke i penguar njerëzve të Federatës dhe shkaku kryesor është përkatësia etnike e futbollistëve por edhe e gjithë mekanizmave tjerë të skuadrës.
Në ambient të këtillë është e pamundur të garohet, sidomos kur kihet parasysh se të tjerët ju shohin me sy armiqësor.
Është e pakuptimtë qe djemtë tanë të derdhin djersë dhe të rrezikojnë shëndetin e tyre në një Ligë, zyrtarët e së cilës, në vend të kultivimit të Fer Plejit sportiv dhe ndërtimit të urave të bashkëpunimit midis popujve, po mbjellin ndasi dhe urrejtje.
Kryesia e Klubit pas konsultave që do t’i zhvillojë ditëve në vazhdim, do të paraqitet me vendim zyrtar rreth hapave të mëtutjeshme”, reagon Tërnoci.