Shevchenko i hyn politikës, bëhet këshilltar i Presidentit Zelensky

1 minute, 8 seconds Read

Ish-ylli ukrainas i futbollit, Andriy Shevchenko, është bërë këshilltar i jashtëm i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, raportojnë mediat ukrainase.

Presidenti Zelensky shpalli dekretin për emërimin e Shevchenkos si këshilltar të jashtëm më 26 shtator, por nuk mund të dallohet se cilat do të jenë detyrat e tij nga përmbledhja e dekretit të presidentit.

Shevchenko fitoi një njohje të madhe ndërkombëtare si lojtar i Milanit dhe pastaj edhe i Chelseat. Me Milanin fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2003 dhe një vit më vonë mori Topin e Artë, çmimin më prestigjioz të futbollit.

Ish-futbollisti i njohur luajti 111 herë për kombëtaren ukrainase dhe shënoi 48 gola dhe para se të dilte jashtë vendit luajti me Dinamo Kievin.

Pas karrierës së tij si lojtar, të cilën e përfundoi në korrik 2012, Shevchenko u ul fillimisht në stolin e ekipit vendas si ndihmës trajner, dhe në korrik të 2016 u bë trajner dhe udhëhoqi kombëtaren deri në çerekfinalet e “Euro 2022”, që është arritja më e mirë e tij deri tani. Në sezonin 2021/22, ai drejtoi Genoan.

Ai konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë ukrainas të të gjitha kohërave. Vitin e kaluar, Presidenti ukrainas Zelensky emëroi Shevchenko tani 46-vjeçar si ambasador të Fondacionit për Rindërtim dhe Zhvillim të Ukrainës.

Publikime te ngjashme