SHBA dënon djegien e Kuranit në Suedi

1 minute, 53 seconds Read

Departamenti i Shtetit të SHBA-së e cilësoi djegien e djeshme të kopjes së Kuranit, të kryer nga Salwan Momika, me origjinë nga Iraku, para një xhamie në Stokholm të Suedisë nën mbrojtjen e policisë, si “mungesë respekti dhe të dhimbshme”, raporton Anadolu.

Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel në konferencën për media u pyet për djegien e Kuranit të Shenjtë në Suedi, për të cilën u përgjigj:

“Disa herë kemi përsëritur se djegia e teksteve fetare është mungesë respekti dhe e dhimbshme. Ajo që mund të jetë e ligjshme nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme”, tha Patel duke shtuar se qeveria suedeze dhe policia lokale mund të komentojnë më tej incidentin.

Patel theksoi se ata vazhdojnë të inkurajojnë Hungarinë dhe Türkiye-n që të ratifikojnë pa vonesë protokollin e anëtarësimit për pranimin e Suedisë në NATO. Shtetasi irakian Salwan Momika dogji një kopje të Kuranit, librit të shenjtë musliman, përpara një xhamie në kryeqytetin suedez, Stokholm, të mërkurën.

Ngjarja ka ndodhur para xhamisë në Medborgarplatsen, ku Momika fillimisht hodhi Kuranin në tokë dhe më pas e dogji me fjalë fyese kundër Islamit. Policia lokale u thirr para xhamisë për të parandaluar çfarëdo incidenti si një përgjigje e mundshme ndaj provokimit.

Më 12 qershor, Gjykata e Apelit në Suedi la në fuqi vendimin e gjykatës së ulët për të anuluar ndalimin e djegies së Kuranit, duke vendosur se policia nuk kishte bazë ligjore për të parandaluar dy protesta për djegien e Kuranit në fillim të këtij viti.

Në shkurt, policia refuzoi të lejojë dy përpjekje për djegien e Kuranit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë, pasi politikani danez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan dogji një kopje të Kuranit para ambasadës turke në Stokholm në janar të këtij viti.

Më vonë, dy persona që u përpoqën të organizonin protesta provokuese përpara ambasadës së Irakut dhe Türkiye-s në Stokholm, apeluan vendimin.

Në prill, Gjykata Administrative e Stokholmit e ndryshoi vendimin, duke vendosur se rreziqet e sigurisë ishin të pamjaftueshme për të kufizuar mundësinë e protestave.

Publikime te ngjashme