Serbia sulmon serbët në veri, Policia e Kosovës heq eksplozivin në një automjet

1 minute, 25 seconds Read

Shteti i Serbisë po sulmon serbët e Kosovës. Është kjo akuza që bëhet nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që flet për rastin e vendosjes së një bombe në një automjet në Leposaviq.

“Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftënxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm. Tendenca për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë vazhdon, por çdo ditë me më pak sukses”, shkruan ministri.

Reagimi i Sveçlës erdhi pasi një shtetas i Kosovës nga komuniteti serb, raportoi një pajisje të dyshimtë të vendosur në automjetin e tij. Policia shkoi në vendngjarje dhe konstatoi se bëhet fjalë për një eksploziv plastik, PENT, prodhim serb, një detonator elektrik, një bateri 9 volt, 6 magnete dhe një tel përçues.

Forcat e rendit kanë bërë të mundur heqjen e pajisjes shpërthyese pa asnjë dëm. Denoncuesi deklaron se nuk ka probleme me askënd, mirëpo ai dyshon se vendosja e eksplozivit është bërë në shenjë hakmarrjeje e frikësimi, pasi ai punon në institucionet e Republikës së Kosovës.

Policia bën me dije se rasti është duke u hetuar. Kjo vjen në një kohë kur klima në veri nuk është dhe aq e qetë, për shkak të urdhrave të Listës Serbe ndaj komunitetit serb që të bojkotojnë zgjedhjet për kryetarët e rinj dhe procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Autoritetet dhe ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se në këto kushte, ekstremistët serbë, me bekimin e Beogradit zyrtar, mund të bëjnë provokime të shumta duke shkaktuar incidente edhe të armatosura.

Publikime te ngjashme