Rrëzohet ashensori, përfundon në pranga drejtuesi teknik i kompanisë

1 minute, 0 seconds Read

Policia e Tiranës ka arrestuar drejtuesin teknik të kompanisë së ashensorëve, dy punëtorët e të cilës u dëmtuan të hënën pas rrëzimit të ashensorit në një pallat në ndërtim, në Krujë.

Punëtorët e kompanisë në fjalë morën plagë të shumta pas shkëputjes së platformës së ashensorit gjatë punës për montimin e tij.

Materialet në ngarkim të drejtuesit teknik të firmës i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërkohë që punonjësit ndodhen në spital, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin M. B., 48 vjeç, banues në Tale, Lezhë, drejtues teknik i një firme ndërtimi. Ditën e djeshme, në lagjen “Zim Zenel”, Krujë, në një pallat që ndërtohet nga një firmë me drejtues teknik shtetasin M. B., gjatë procesit të punës për montimin e ashensorit është shkëputur platforma e ashensorit dhe si pasojë janë dëmtuar shtetasit A. B., 52 vjeç dhe shtetasi turk Z. S., 50 vjeç.

Dy të dëmtuarit ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.

Publikime te ngjashme