Rok-skena e Jugosllavisë, me notat e UDB-së Jugosllave!

10 minutes, 29 seconds Read

Vite më parë, në rajon ka qarkulluar një shkrim për ngjarjet e pabesueshme në skenën e pop-rokut jugosllav. Shumë nga detajet (që u publikuan në faqen “Urbana Srbija”), janë të dyshimta dhe të mbuluara me konspiracion, megjithatë, një pjesë e informacionit përputhet me ngjarjet reale të viteve ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar. Duhet cekur se shumëkush e ka hedhur poshtë historinë e personit që ka thënë se ishte ndihmës-shef i një departamenti të Sigurisë Shtetërore [UDB], Zhivan Vellisavleviq, e që u pensionua në fillim të vitit 1990 me dekret të presidentit të asaj kohe të RSFJ-së. Historiani Aleksandar Rakoviq, autor i librit “Rokënroli në Jugosllavi, 1956-1968: Sfida e shoqërisë socialiste”, i ka hedhur poshtë pretendimet. Por, për grupin Bijelo Dugme, ish-kritiku i rokut, tash ipeshkvi i Sllavonisë, Jovani, thotë se ishin projekt shtetëror. Ndërkohë, as Goran Bregoviqi nuk i ka mohuar kontaktet me UDB-në. Ndërkohë, dihet se skena rok e Jugosllavisë nuk arriti të bëhet kryengritëse si ajo e Perëndimit. Sidoqoftë, Telegrafi më poshtë sjell të dhënat që thuhet se ndërlidhen me veprimtarinë e Vellisavleviqit.

Për Vellisavleviqin thuhet se jeton në shtëpinë e tij familjare, në vendlindjen e vet Llojanicë afër Shabacit. Shtëpia e tij është larg asaj që publiku do të imagjinonte të ishin shtëpitë e spiunëve të pensionuar. Nuk ka mure të larta, dyer hekuri që hapen me telekomandë dhe dobermanë si roje. E, megjithatë, edhe pse shtëpia e Vellisavleviqit është si një nga të shumtat në këtë zonë, ka diçka në të që e bën atë më ndryshe. Në tavanin e rregulluar me kujdes, Vellisavleviqi ka një koleksion prej disa mijëra disqesh (LP), ekskluzivisht të muzikës argëtuese dhe rok të krijuar në RSFJ. I pyetur nëse është diskofil, ai thotë se këto disqe nuk ishin për argëtimin e tij, por si mjet për punën e tij.

Vellisavleviqi thotë se në shërbim u kyç në vitin 1968. Demonstratat e studentëve tronditën Titon. Ndonëse arriti t’i qetësonte, Tito vuri re se vazhdimisht po shfaqeshin pika të reja të nxehta. Në atë moment Tito sapo i kishte dhënë fund krizës rreth Plenumit të Brionit dhe menjëherë u shfaq kriza studentore dhe pushtimi i Çekisë. Ndaj, ishte e nevojshme që të qetësohej të paktën njëri nga frontet. Për këtë qëllim, në një takim sekret Tito diskutoi se cili front mund të zgjidhej më parë. Velko Vllahoviqi propozoi që RSFJ të merrte një bombë atomike, që do ta garantonte sovranitetin e saj, Eduard Kardeli përmendi afrimin me paktin e NATO-s, ndërsa Stane Dollanci doli me propozimin më të çuditshëm. Dollanci tha se CIA, duke e përdorur muzikën e grupeve të bazuara në hedonizëm dhe duke e lejuar përdorimin e drogave narkotike, arriti të mpijë tehun luftarak të protestave studentore në Amerikë dhe të kthejë shumë të rinj përparimtarë në kllounë të padëmshëm e pa një ide të qartë revolucionare.

Dollanci, në bashkëpunim me të besuarit e tij më të ngushtë, Sërxhan Andrejeviq dhe Obrad Gjorgjeviq, zgjodhën të riun Zhivan Vellisavleviq për ta udhëhequr operacionin Milacka. Dhe, Vellisavleviqi e udhëhoqi për 22 vjet. “Rekruti im i parë ishte, natyrisht, Goran Bregoviqi. Nuk kishte probleme me të, se ai e donte idenë e Jugosllavisë, të seksit dhe të drogës, kështu që lehtësisht u pajtuam”, dëshmon Vellisavleviqi. “Me Bregoviqin unë madje aplikova një sistem që shërbimi e përdorte me kriminelët – ua mundësoi atyre që të vidhnin jashtë dhe të strehoheshin në Jugosllavi në këmbim të disa punëve për ne. Kështu ia kam mundësuar edhe Bregoviqit që t’i vidhte këngët e huaja, t’i publikonte këtu si të tijat dhe të propagandonte me to për atë që neve na duhej”.

Zdravko Çolliqi nuk ishte aq i lehtë për t’u rekrutuar. “Ishte interpretues jashtëzakonisht i talentuar dhe nuk mundëm lehtë ta rekrutojmë. Nuk kishte asgjë kundër nesh, por nuk donte t’i detyrohej askujt”. Megjithatë, kur u arrestua në Ohër për këmbim valutor, Vellisavleviqi pa shansin e vet. “E kam vizituar në burgun e Ohrit dhe jemi marrë vesh për pesëmbëdhjetë minuta”. Ai thotë se pati histeri në dikasterin e sigurimit të shtetit, kur mësuan se Çolla ishte i rekrutuar. “Dhe, pastaj filloi paniku kur kuptuan se ai kishte nevojë për këngë të mëdha, për hite. Një pjesë e Shërbimit dyshoi te Kornellije Kovaçi dhe u përcaktua që e gjithë estrada jugosllave të qëndronte pas Çolliqit. Kemi pasur një takim sekret një natë në ‘Skenderije’ të Beogradit. Gjashtë aeroplanë reaktivë na i sollën të gjithë kompozitorët kryesorë të popit. Ishin Arsen Dediq, Xhorxhe Novkoviq, Kornellije Kovaç, Bojan Adamiq, Zhika dhe Radovani nga [grupi] Zana, Momçilo Bajagiq, Zlaja Arslanagiq nga [grupi] Crvena Jabuka, Iztok Turk, Jasenko Houra, Jura Stubliq, Vladimir Divlan, Zoran Lesendriq dhe shumë të tjerë”.

“I kemi vendosur në ‘Skenderije’. U ulën krejtësisht të papërgatitur për atë që i priste. Pastaj shkova në foltore, u ndjeva si Tito dhe u thashë se të gjithë janë të detyruar që ta përgatisin nga një këngë për albumin e rikthimit të Çollës”.

Ekipi i kompozitorëve u kthye më pas në qytetet e veta dhe filloi puna për këngët. Mirëpo, në shërbim mbizotëroi nervozizmi, pasi një numër kaq i madh i njerëzve nuk mund të kontrollohej nga sigurimi, kështu që në fund vendosën që Bregoviqi ta bënte të gjithë albumin e që këngët të mos rrjedhin në publik. “Albumi i rikthimit të Çollës në një moment tingëlloi se do të jetë më i madhi album në historinë e popit. Dukej se kjo për Çolliqin do të ishte si ‘Smile’ për Beach Boys dhe ne nuk mund ta lejonim këtë, sepse Çolla i duhej Jugosllavisë në atë moment dhe në fund Brega zgjidhi gjithçka”.

Shërbimi i sigurimit të shtetit është ngarkuar edhe me përgatitjen e albumeve konceptuale që kishin detyrë për t’u interpretuar në valët e radios në rast të luftës apo të ndonjë apokalipsi bërthamor. “Këto janë të ashtuquajturat Albumet e Kiametit, kështu i kemi quajtur në shërbim, e në to janë incizuar këngët e fundit të botës, këngët me të cilat ky komb është dashur t’i mbijetojë dimrit bërthamor”. Këngët i ka punuar ajka e skenës jugosllave, në bashkëpunim me një ekip psikologësh. “Ka disa këngë dashurie që i kemi testuar te kafshët. Dhe, në të vërtetë, kur kënga u luajt për ta, i nxiti të çiftëzoheshin përmes sekretimit të disa hormoneve. Në parim, këngë e tilla bëheshin në rast se në bunkerë, pas luftës bërthamore, njerëzit duhet të stimulohen për ta vazhduar rasën. Ta lëshosh një këngë të tillë në eter në rrethana të rregullta, është vepër kriminale. Ato incizime janë në kasafortën e kreut të SDB-së edhe sot e kësaj dite”. Vellisavleviqi heziton të flasë për këto këngë. Mirëpo, tha se disa prej tyre janë shkruar nga Kiki Llesendriq dhe se janë kënduar nga Zana Nimani, Anja Rupel dhe Marina Peraziq.

Vellisavleviqi thotë se në praktikën e tij vetëm një herë ka takuar një agjent të dyfishtë. Ky ishte rasti i Iztok Turkut, liderit dhe autorit kryesor të grupit Videosex. “Iztoku ka punuar për ne. Diku në kohën e albumit Lacrimae Christi, është kontaktuar nga shërbimi gjerman BND. Donte të ndërpriste kontaktet me ta, por ne insistuam që t’i vazhdojë ato”.  Me afrimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Vellisavleviqi pretendon se besnikëria e tij u zhvendos ndaj gjermanëve. “Nuk jam i sigurt se Turku e ka tradhtuar Jugosllavinë, mendoj se i ka qëndruar besnik asaj deri në fund, por me kalimin e kohës gjithnjë e më pak. Përpjekjet e tij të dështuara për të incizuar këngë në anglisht me Videosex, na flasin për këtë.”

Sipas Vellisavleviqit, incizimi i këngëve në anglisht ishte provokim i llogaritur në qendrat e shërbimit sekret gjerman për ta kolonizuar skenën muzikore jugosllave. “Ata donin t’i margjinalizonin grupet tona, duke i bindur që të incizonin në anglisht, gjë që i ndau nga publiku vendas dhe nuk patën shans real në skenën e huaj. Për fat të mirë, ata ishin në gjendje ta bënin këtë me grupet alternative. Ne e mbajtëm Bregën, Bora Çorbën dhe [grupin] Azra nën një dorezë të hekurt”.

“Albumi i grupit Divlje Jagode në anglisht, ishte komplot klasik i MI6. Ata u mbajtën nga famëkeqi Anthony Monckton, si agjentë të tij gjatë asaj periudhe. Ai e filloi karrierën e tij si operativ i rokënrolit për RSFJ-në dhe përfundoi duke shërbyer në Beograd”. Për fat të mirë, UDB kishte një atu në grup. “Allen Isllamoviqi ishte njeriu ynë dhe ai nga brenda e shkatërroi karrierën angleze të Divlje Jagode. Ishte element i shëndoshë në atë grup, prandaj e shpërblyem me postin e këngëtarit në Bijelo Dugme”.

Vellisavleviqi edhe sot e konsideron veten jugosllav. Ai beson se shërbimet republikane të sigurimit të shtetit kanë punuar kundër shtetit të përbashkët, madje edhe në fushën e rokënrolit. “Jasenko Houra ishte njeri i shërbimit në Republikën e Kroacisë. U dërgova disa herë letra për ta lënë në dispozicion të shërbimit federal, sepse është muzikant i talentuar, por ata nuk pranuan dhe dolën me disa formalitete. Unë me përgjegjësi pretendoj se kënga e tij Mojoj majci (zadnja ruža Hrvatska) / Nënës sime (trëndafili i fundit i Kroacis) është vepër e sektorit të Zagrebit”. “Nuk ka të pafajshëm”, vazhdon Vellisavleviqi, “kur vumë re se Zoti dhe kisha përmenden shpesh në këngët e [grupit] Piloti, e sollëm Zoran Lesendriqin për të parë se për çfarë është fjala. Gjatë natës na kontaktoi shefi i departamentit të Beogradit dhe tha se ishte i tyre. Duhej ta linim të ikte. Atëherë e kuptova se çdo shërbim republikan e ka grupit e vet”.

“Nuk do të kishte luftë pa propagandë dhe grupet si Prljavo Kazalište”, thekson Vellisavleviq. Ai beson se është naive të pritet se lufta mes shërbimeve sekrete të ketë qenë më e butë në fushën e skenës së rokut sesa në fushat tjera. Skenari i Magjistrales së Ibrit [vrasjeve në rrugë] u aplikua për herë të parë në Kërcunin [komunisti Sllobodan Peneziq] dhe herën e dytë me Drazhen Riçlin. Velisavlljeviq pretendon me përgjegjësi se ka qenë punë e pistë aksidenti i trafikut i anëtarit të [grupit] Crvena Jabuka. “Zllatko Arslanagiq Zlaja shpejt u largua nga grupi; ishte një engjëll, një nga operativët e mi të preferuar, një jugosllav i vërtetë”, thotë Vellisavleviqi. “Unë mendoj se do të jetë interesante nëse Drazhen Zheriq Zhera flet ndonjëherë, se ai e di të gjithë historinë.”

Vellisavleviqi nuk e ka ndjekur skenën aktuale, që nga pensionimi. Megjithatë, ajo që ai sheh në televizion dhe internet nuk ngjall besim tek ai. “Shumë njerëz të talentuar kaluan në folklor dhe në skenën rok shumë grupe këndojnë anglisht, e kjo nuk është gjë e mirë. Skena ishte shumë më e mirë kur UDB kishte kontroll, sepse ne ndihmuam edhe në mënyrë krijuese kur dilte ndonjë krizë”. Vellisavleviqi është krenar për faktin se UDB punësoi tre profesorë të Akademisë së Muzikës dhe një profesor të Letërsisë për ta ndihmuar Bregoviqin që ta krijojë këngën “Lipe Cvatu”. “Sot nuk ka ambicie të tillë, për fat të keq. Kam frikë se UDB nuk i kontrollon më as grupet që i themeloi”./Telegrafi

Publikime te ngjashme