Punëtorët e strukturave paralele s’e përfillin afatin për lirimin e objekteve, shihen në zyra

2 minutes, 1 second Read

Punëtorët e strukturave paralele të Serbisë edhe sot kanë dalë në punë si zakonisht. Kjo pavarësisht se sot është afati i fundit për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.

Gjendja raportohet të jetë e qetë.

T7 raporton se situata aktualisht është e qetë. “Punonjësit po shihen brenda objektit duke punuar”, raporton televizioni T7.

Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura tri institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: “Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, “Qendra për Punë Sociale” nga Vushtrria dhe “Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës”.

Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiç, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.

Inspektorati komunal tha se nuk i është ofruar ndonjë dokumentacion në bazë të të cilit institucionet e Serbisë mund ta shfrytëzojnë atë objekt, dhe se institucionet e Serbisë ishin njoftuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe paraqesin dokumente ose kontratë për shfrytëzimin e objektit.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka shprehur shqetësimin për situatën në veri të Kosovës duke deklaruar se vendimi për lirimin e objekteve komunale po bëhet jo në koordinim me Brukselin.

”Jemi të shqetësuar për implikimet në situatën e sigurisë të vendimeve të fundit të marra nga administrata e komunës së Mitrovicës Veriore për shfrytëzimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga subjektet e drejtuara nga Serbia të lirojnë objektet e tyre, nëse nuk ofrojnë dokumentacionin e kërkuar brenda një afati të shkurtër. Ky vendim bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë” ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një prononcim dërguar mediave në Kosovë.

Ai ka bërë edhe një herë thirrje për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë “për të gjitha vendimet që ndikojnë në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe adresojnë këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kjo s’ka ndodhur as me këto vendime”.

Publikime te ngjashme