Procesi i Berlinit, Rama: Brukselit ia kam bërë të qartë që nuk ka takim me kryeministra në Tiranë pa atë të Kosovës

2 minutes, 35 seconds Read

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Podgorica ka folur për takimin e kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili do mbahet në Tiranë.

Në një konferencë për media me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Rama ka deklaruar se ia ka bërë të qartë Brukselit se takim me kryeministra në Tiranë nuk mund të mbahet pa qenë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës.

Para mediave, ai është shprehur se kështu e kupton rëndësinë e postit të kryeministrit të Kosovës.

Rama tutje ka thënë se është në dorën e Kurtit, nëse do të marrë pjesë apo jo në takimin e Tiranës.

“Në takimin e Tiranës, pavarësisht se cili është qëndrimi i Bashkimit Evropian, pavarësisht se cilat janë qëndrimet e vendeve të tjera, në takimin e Tiranës për procesin e Berlinit, kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe unë dëshiroj që të jemi të gjashtë bashkë aty, përtej faktit që mund të mos jetë i ftuar apo mund të mos duan ta ftojnë në vende të tjera. Në Tiranë, Albin Kurti është në shtëpinë e vet, ku madje mund të edhe të futet në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë”.
“Ai është i ftuar si gjithë të tjerët. Unë jam kam bërë të qartë edhe Brukselit, që takim me kryeministra në Tiranë pa kryeministrin e Kosovës nuk ka. Kështu e kuptoj unë rëndësinë e kryeministrit të Kosovës sa i takon procesit të Berlinit. Nuk e përjashtoj që Albin Kurti mos të vijë. Kjo nuk përjashtohet se nuk përjashtohet asgjë. Është e drejta e tij që mos të vijë”, është shprehur mes tjerash kryeministri shqiptar.

Sa i përket “Ballkanit të Hapur”, Rama ka thënë se as nuk e ka hapur dhe as nuk mund ta mbyllë personalisht. I pyetur nga gazetarët se çfarë përfitimesh ka pasur nga ky proces, ai ka deklaruar se tri vendet që morën pjesë në këtë proces kanë përfituar dhe këtë e dëshmojnë shifrat e importit dhe eksportet.

“Ballkanin e hapur as s’e hapa vetë, as s’e mbylli dot vetë. Tre nga 6 nuk u përfshinë dhe dëmtuan veten e tyre, nuk përfituan nga ato që përfituan tre të tjerët. Sipërmarrja boshnjake iu kërkon Ballkanin e hapur. Pse? Sepse Ballkani i hapur iu dha mundësinë këtyre tre vende, që të jetësojnë disa marrëveshje, të cilat do të ishin jetësuar me Procesin e Berlinit, por u tërhoqën zvarrë.

Pyesni dhe shihni shifrat e importit dhe të eksportit. Është bërë e lehtë me lëvizjet me ato barrierat tarifore, certifikatat. Pa Ballkanin e Hapur, domatet që nisen nga Saranda dhe mbërrijnë në Bosnjë shkojnë salcë. Na ka ndihmuar për t’u afruam me njëri tjetrin”, tha ai.

Publikime te ngjashme