“Proces i vështirë”, Shqipëria vazhdon e vetme rrugën në KiE për t`i rrëzuar “akuzat e Martyt”

3 minutes, 49 seconds Read

Pas mbledhjes së nënshkrimeve në Asamblenë e Këshillit të Evropës për mocion rreth një rezolute të re mbi rezolutën e vitit 2011, Shqipëria po e vazhdon e vetme rrugën për t`i rrezuar pretendimet për trafikim organesh të ish-senatorit Dick Marty.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka pranuar se ky proces nuk do të jetë i lehtë.
Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se Shqipëria është duke punuar në këtë drejtim dhe nuk do të ndalet deri në fund.

“Aty po vazhdojmë, nuk është e lehtë. Është proces i vështirë. Firmat janë mbledhur për ta shtruar mocionin dhe për të marrë miratimin e Asamblesë për të bërë një raport vazhdues siç është në rregullin e Asamblesë, që kur ka nxitje, fakte të reja, ose mosverifikim faktesh të pretenduara në të shkuarën, mund të bëhet një raport që është si vazhdim i një raporti të mëparshëm të miratuar”, ka thënë Rama.

Ai ka treguar se tani Shqipëria po punon që këtë çështje ta fus në agjendë dhe me pas në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës .

“Tani mbasi janë marrë firmat duhet që çështja të hyj në proces dhe pastaj të kaloj në Asamble. Është e vështirë, nuk është e lehtë. Ka shumë dinamika dhe forca që duhet të bëhen bashkë. Por, ne do ta bëjmë tonën deri në fund”, ka thënë Rama.

Kosova hesht
Në anën tjetër, institucionet e Kosovës deri me tani kanë zgjedhur heshtjen për iniciative të Shqipërisë. Askush prej liderëve shtetëror të Kosovës nuk është deklaruar publikisht rreth kësaj cështje.

Mosveprimi i institucioneve të Kosovës në këtë drejtim është kritikuar nga njohësit e rrethanave politike në vend.

Ata kanë bërë me dije se diplomacia e Kosovës është dashur ta ketë prioritet lobimin për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë përpjekje.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë për gaten Nacionale se Kosova nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta ndihmuar Shqipërinë në rrëzimin e pretendimeve të senatorit zviceran.

“Sa i përket diplomacisë kosovare ka pasur hezitime dhe nuk ka pasur të paktën lëvizje në aspektin praktikë. Ne do të duhej që nga dita e parë të lobonim në Shqipëri dhe në të gjitha vendet që kjo çështje të paketën të futet në agjendë apo të diskutohej një gjë e tillë, por ja që diplomacia kosovare nuk e sheh këtë si prioritet. Kjo do të duhej të ishte një prioritet sikurse anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, ku e kemi kaluar fazën e parë”, ka thënë Arifi.

Ai ka vlerësuar se rrëzimi i pretendimeve të senatorit Marty do ta ndihmonte anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Kjo do ta ndihmonte ndoshta edhe më mirë Kosovën që ta kalon edhe fazën e dytë. Sepse do të vërehej gabimit historik që e ka bërë Këshilli i Evropës, duke votuar një rezolutë të tillë të sponzorizuar nga qarqe të dyshimta, të cilat e kanë dëmtuar jo vetëm drejtësinë kosovare dhe luftën e Kosovës, por në njëfarë mënyrë e kanë dëmtuar edhe vetë angazhimin e botës perëndimore rreth lutës së Kosovës”, ka thënë Arifi.

Kurse, politologu Avdi Smajlja ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova dhe Shqipëria për këtë çështje do të duhej ta kishin një strategji të përbashkët.

“Diplomacia kosovare se bashku me atë të Shqipërisë do të duhej te dilnin me një strategji të qarte si ti bëjnë ballë fushatës së egër të Serbisë duke e përdorur rezolutën e vitit 2011 dhe themelimin e gjykatës si instrument kundër themeleve mbi të cilat është ngritur shteti i Kosovës”, ka thënë ai.

Një vit me parë, Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar një rezolutë, e cila pretendimet e senatorit Marty i konsideronte të pabaza.

Rezoluta kërkonte që Asamble Parlamentare e Këshilli i Evropës të rishikojë dokumentin e miratuar në vitin 2011.

Rezoluta e KiE-së ishte përdorur si bazë për ngritjen e Gjykatës Speciale, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.

Publikime te ngjashme