Presidentja ‘bie në kurthin’ e kryeministrit, KPK-ja pritet ta propozojë sërish Blerim Isufajn

5 minutes, 46 seconds Read
Presidentja Vjosa Osmani është vënë përball një situate të rrezikshme me refuzimin e emërimit të Blerim Isufajt në krye të Prokurorisë. Kushtetuta, ligjet në fuqi, praktikat e mëhershme të emërimit të gjyqtarëve e prokurorëve dhe një komentar i Kushtetutës, theksojnë se presidenti është thjeshtë i detyruar ta konfirmojë propozimin e Këshillit Prokurorial (KPK) për Kryeprokurorin e Shtetit. Në të kundërtën, ajo rrezikon të bëjë shkelje të detyrimeve kushtetuese të tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka refuzuar zyrtarisht dekretimin e Blerim Isufajt, të propozuarit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit, të cilin kryeministri Albin Kurti e ka sulmuar publikisht disa muaj më parë.

Në një konferencë për media të martën, Osmani tha se Zyra e Presidentit ka gjetur një “varg të shkeljesh në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”.

Ajo tha se për çështjen e kryeprokurorit është përballur me presione të paligjshme.

“Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton, do të vëmë dosje, do të ngremë aktakuza’”, tha Osmani, duke e cilësuar si “shqetësuese” që personat brenda sistemit mund ta kërcënojnë presidenten e vendit për një çështje.

Me ligjet në Kosovë, Kryeprokurori i Shtetit duhet të dekretohet nga presidenti.

Por, dekretimi i prokurorit – në këtë rast edhe i Kryeprokurorit të Shtetit – bëhet sipas propozimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe Kushtetutës së Kosovës e ligjeve në fuqi. Kompetenca e presidentin për “emërim” dhe “shkarkim” duhet të komentohet thjesht ne aspektin ceremonial.

Kësisoj, me vendimin për refuzim të dekretimit të Berim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, presidentja Osmani është vendosur përballë një situatë të vështirë, e cila mund ta çojë atë drejt shkeljes së detyrimeve të saj kushtetuese.

Këshilli Prokurorial, i ka konsideruar të paqëndrueshme arsyet e presidentes për mosdekretim të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit dhe pritet t’ia dërgojë presidentes sërish propozimin për dekretimin e Blerim Isufajt.

Bazuar në ligjet në fuqi dhe Kushtetutë, Osmani do të kryente shkelje të detyrimeve kushtetuese nëse do të refuzonte për herë të dytë dekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit.

Tashmë ekziston një precedent rreth (mos)dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga presidenti. Kur në vitin 2013 presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga refuzoi riemërimin e gjyqtarit Enver Shabanaj, sipas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), shefja e shtetit u ‘detyrua’ që ta dekretonte propozimin për Enver Shabanajn, duke u bazuar në ligjet në fuqi dhe Kushtetutë.

Propozimi për herë të dytë i KGJK-së asokohe, bazohej në nenin 18 të Ligjit për KGjK-në, si dhe duke marrë parasysh komentarin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të botuar në vitin 2013, i cili thekson se përgjegjësia për emërim të gjyqtarëve i përket Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Nëse Presidenti i Kosovës refuzon të emërojë apo riemërojë cilindo kandidat, Presidenti siguron brenda afatit gjashtëdhjetë (60) ditor arsyet e refuzimit të tij ndaj Këshillit. Këshilli mund ta paraqesë edhe një herë tjetër kandidatin e refuzuar para Presidentit së bashku me arsyetimin në formë të shkruar, ose Këshilli mund të propozojë një kandidat tjetër”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 18 të Ligjit për KGjK-në.

Ndërkaq, në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, përgjegjësia për emërimin e prokurorëve përcaktohet me nenin 23 të ligjit.

“Presidenti emëron dhe riemëron gjyqtarët dhe gjyqtarët por të bazuar në propozimet e Këshillit dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin”, thuhet në paragrafin e parë të Nenit 23 të Ligjit për KPK-në, raporton Paparaci.

Kur Atifete Jahjaga ishte detyruar ta riemëronte gjyqtarin Enver Shabanaj, bazuar në propozimin e dytë të KGjK-së, ajo kishte marrë parasysh edhe një komentar të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që është botuar në dhjetor 2013, me autor Enver Hasanin, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Komentari thotë shprehimisht se presidenti dekreton gjyqtarët dhe prokurorët bazuar në propozimin e këshillave gjyqësor, gjegjësisht prokurorial.

“Prandaj, emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, presidenti i republikës e bën duke mbështetur propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe duke ndjekur ngurtësisht propozimet e tij. Në kuptim të këtyre paragrafëve, presidenti i republikës nuk mund të kontrolloj meritën e ‘propozimeve’ që vijnë nga Këshilli Gjyqësor sipas këtyre paragrafëve, gjë që nënkupton se ai/ajo nuk mund të ushtroj kontroll substancial mbi propozimet e Këshillit”, thuhet në komentarin e Kushtetutës.

Sipas interpretimeve të komentarit, presidenti nuk mund të kontrolloj meritën e propozimeve që vijnë nga Këshilli Prokurorial apo Këshilli Gjyqësor. Presidenti është thjesht i detyruar që t’i konfirmoj propozimet e tilla, sipas komentarit të Kushtetutës.

Refuzimi i presidentes Vjosa Osmani për dekretimin e Blerim Isufajt vjen disa muaj pasi kryeministri dhe lideri i shumicës qeverisëse, Albin Kurti e sulmoi ashpër kandidatin për kryeprokuror të propozuar nga KPK-ja.

Në Prokurorinë e Shtetit, sipas Kurtit, ekziston një disponim negativ politik ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Dhe kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj, bëhet fjalë për një kryeprokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanajt e kategorizojë si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa e shndërrojë në vrasje”, kishte thënë Kurti në një fjalim në kuvend më 20 prill, 2023.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 8 prill 2022 i kishte dërguar propozimin Presidencës me emrin e Isufajt.

Ajo nuk kishte marrë vendim për dekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit deri më sot, për shkak se lënda e përzgjedhjes së tij nga KPK-ja ishte kontestuar në gjykata dhe një aktvendim i fundit i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, ishte publikuar muajin e kaluar.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit. /Paparaci.com

Publikime te ngjashme