Gabim i përkthyeses? Deklarata e plotë e Macron për çështjen e vizave

2 minutes, 10 seconds Read
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Ndërkaq, mediumi nga Tirana, Lapsi.al raportoi se duke komentuar ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë dhe ngecjen e dialogut Kosovë Serbi, presidenti francez deklaroi se “çështja e vizave është pezulluar nga ana e Francës.

“Ne u kemi besuar për çështjen e vizave, por ajo u pezullua nga ana e Francës se kjo ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk është mbajtur”, tha ai në nje deklaratë që Lapsi.al raportoi se e dëgjoi në frëngjisht.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.

“Është përgjegjësi e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha Macron.

Publikime te ngjashme