Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se periudha e fundit e “konsultimeve” rreth figurës së presidentit nuk ka qenë asgjë më shumë sesa një terren parapërgatitor për fushatën elektorale të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.
Sipas këndvështrimit të tij, fokusi parësor nuk ka qenë suksesi në zgjedhjen e kreut të shtetit, por sigurimi i një baze argumentesh për refuzimet e ndërsjella dhe arsyetimi para publikut për dështimin e paralajmëruar, elemente këto që kanë nisur të artikulohen dhe pritet të përshkallëzohen në vijim.
Në analizën e tij, Cakolli ngre dyshime se si u pretendua fillimisht një mbështetje prej 84-85 deputetësh për këtë proces, derisa tani, madje edhe me ofertën shtesë për një pjesë të kabinetit qeveritar, numrat po rezultojnë në një maksimum prej 80-81 votash, të cilat gjithashtu mbeten tejet të pasigurta.
Ai ka shtruar pyetjen se si është e mundur që një pozitë shtetërore, për të cilën vendi u mbajt në një krizë të stërzgjatur politike për gati një vit, të hidhet kaq lehtësisht në tavolinën e negociatave./lajmishqip.net
