Politologu boshnjak: Qëndrimi i Republikës Serbe ndaj Kosovës është edhe më radikal se sa i Beogradit zyrtar

2 minutes, 3 seconds Read

Përveç Serbisë, në Ballkanin Perëndimor është edhe Bosnja Hercegovina që refuzon ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, politologu nga Sarajeva, Adnan Huskiq, thotë se as Kosova nuk ka treguar interes të mjaftueshëm për të krijuar marrëdhënie më të mira diplomatike me Bosnje dhe Hercegovinën.

“Duket qartë se palët nuk e kanë prioritet të kenë marrëdhënie të ngushta me njëra-tjetrën dhe konsideroj se kjo histori do të vazhdojë kështu edhe për një periudhë të gjatë. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë bërë shumë përpjekje që ta bindin Bosnjën ta njoh pavarësinë e Kosovës”

Sipas Huskiq, qëndrimi i Republikës Serbe ndaj Kosovës është edhe më radikal se sa ai i Beogradit zyrtar, andaj edhe nuk po respektohen marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të Berlinit, ku parashihet lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftime.

“Qëndrimi i Republikës Serbe ndaj Kosovës është edhe më radikal se sa i Beogradit zyrtar. Qasja e tyre ia vështirëson Bosnje dhe Hercegovinës të ketë marrëdhënie konstruktive me Kosovën, prandaj ata as nuk i respektojnë as marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit. Pra kemi një situatë tejet komplekse brenda shtetit”
Njohësi i çështjeve politike thotë se e gjithë Bosnja është duke e pësuar për shkak të veprime destabilizuese të politikanit serb, Milorad Dodik.

“Milorad Dodik është në konflikt të vazhdueshëm me Perëndimin, prandaj edhe Republika Serbe po ballafaqohet me sanksione për shkak të qasjes së tij. Ai është përgjegjësi kryesor për mungesën e zbatimit të marrëveshjeve dhe atij nuk po i bëhet vonë për këto probleme. Por situata është edhe më e rëndë sepse këtu nuk e pëson vetëm Republika Serbe por e gjithë Bosnja. Tani na mbetet të shohim se çfarë lëvizje do të ndërmarr Berlini, sepse marrëveshjet që nuk po respektohen u arritën me ndërmjetësimin e tyre”

Presidenti i Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, nuk e ka fshehur urrejtjen që ka ndaj shqiptarëve. Në disa raste, ai ka theksuar se shqiptarët e Kosovës nuk kanë se çfarë kërkojnë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Publikime te ngjashme