Përveç avokatit Besnik Berisha, Gjykata në Ferizaj merr vendim edhe për 6 të dyshuarit tjerë për disa vepra penale

3 minutes, 3 seconds Read

Gjykata Themelore në Ferizaj përveç avokatit Besnik Berisha ka marrë vendim edhe për gjashtë të pandehur të tjerë, të cilët dyshohen për veprat penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pesë prej të arrestuarve, Gjykata ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë (5) të dyshuarve: N.Xh., J.V., F.Z., R.C., A.S., e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë”.

Njërit prej tyre, Gjykata ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

“Të pandehurit I.S., i është refuzuar kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit dhe i caktohet masë e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kurse Gjykata ka konfirmuar që Berisha është liruar dhe atij i është shqiptuar një masë që të mos i afrohet personit apo vendit të caktuar.

“Ndërkaq, sa i përket të dyshuarit B.B., i është refuzuar kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit dhe i caktohet masë e sigurisë ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Por për çka dyshohen të shtatë të pandehurit

N.Xh., i dyshuar për shkak të veprës penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale nga neni 380 paragrafi 1; pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare nga neni 386 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

B.B., i dyshuar për shkak të veprave penale ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1; dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale nga neni 380 paragrafi 1; pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare nga neni 386 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I.S., i dyshuar për shkak të veprës penale pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare nga neni 386 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

J.V., i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1; marrja e ryshfetit nga neni 421 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

F.Z., i dyshuar për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

R.C., i dyshuar për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

A.S., i dyshuar për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Publikime te ngjashme