Gazetaret ukrainase: Njohja e Kosovës thjesht çështje kohe, ju e kuptoni dhimbjen tonë

3 minutes, 29 seconds Read

Në kuadër të programit “Gazetarët në Residencë”, program ky i financuar nga Qeveria, në Kosovë që prej shënimit të fillimit të luftës atje kanë ardhur disa gazetare. Përjetimet e tyre i kanë rrëfyer Liudmyla Lukianchenko dhe Tetiana Kraselnykova.

Liudmyla Lukianchenko dhe Tetiana Kraselnykova u shprehën tejet falënderues për pritjen që u është bërë në Kosovës, madje dhanë edhe mendimet e tyre se i përket raportimeve të fundit për njohjen e Kosovës nga ana e shtetit ukrainas.

Sipas Liudmyla Lukianchenko njohja e Kosovës nga Ukraina është thjesht çështje kohe. Sipas saj, kjo nuk po ndodhë tani ngase Ukraina është shumë e zënë duke u marrë me çka e preokupon momentalisht, e që është lufta dhe negociatat me aleatët e saj.

“Unë vlerësoj se është thjesht çështje e kohës që Ukraina ta njohë Kosovën, sepse dhe Ukraina e ka gjetur veten në një pozitë të tillë. Po përmend rastin e Krimesë e cila u morr nga ne në vitin 2014. Gjithashtu, Plus, mund të rikujtoni se si ishte situata në prag të luftës, kur edhe të gjitha vendet evropiane lejuan në heshtje agresionin e Rusisë në Ukrainë. Aq më tepër që para Ukrainës ishte Gjeorgjia, ishte Ichkeria, ishte Siria, ku kishte një gjurmë agresioni rus dhe bota ishte e heshtur. Prandaj, sot detyra e parë dhe kryesore e Ukrainës është të luftojë për pavarësinë e saj, lirinë dhe të fitojë këtë luftë, duke treguar se sa iluzione dhe e brishtë është kjo botë ruse, e cila u përhap në mënyrë shumë aktive, shumë aktive, falë propagandës së tyre dhe se kjo botë është e brishtë, ndaj do të paguajmë një çmim shumë të shtrenjtë për të me sakrifica shumë të mëdha”.

“Por mendoj se në fund të fundit, lufta për një liri të tillë është e drejtë dhe do të ketë fitore. Sa i përket njohjes, është çështje kohe kur çdo gjë do të bjerë në vend dhe kur do të funksionojnë lidhjet pak a shumë kulturore. Dhe lidhjet kulturore me Kosovën duhet të zhvillohen. Sepse, për shembull, herën e parë që dëgjova se ishte një program nga Kosova, mendova se dija shumë pak për Kosovën”, u shpreh Lukianchenko.

Ajo tezën e saj se njohja e Kosovës nga Ukraina është thjesht çështje kohe e bazoi edhe në publikimin e një profesori të shkencave politike e marrëdhënieve ndërkombëtare ukrainas.

Duke shtura se nëse ndërveprimi kulturor funksionon, pjesa politike është thjesht procedurë formale që s’ka pse të mos realizohet.

“Dhe, meqë e përmendët ne po punojmë në këtë aspekt. Profesori Kraljuk në një publikim të tijin ku flet për Kosovën, përfundon duke thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është thjesht çështje kohe, dhe është absolutisht e vërtetë. Megjithatë tani jemi në kohë lufte dhe jemi duke u marrë me çështje krejtësisht tjera, kryesisht duke bindur partnerët tanë se nuk jemi ne pala që po e shkakton konfliktin. Kush jemi ne? Ne thjesht kemi zgjedhur lirinë tonë për të zgjedhur, të drejtën për të jetuar”.

“Prandaj, kjo është çështja kryesore për ne, kjo është çka po na lëndon më së shumti. Por nëse shoqëritë tona bëjnë hapa përpara në të ardhmen, për t’u hapur ndaj njëra-tjetrës atëherë veçse kemi arritur në të bërit diplomaci kulturore. Dhe kur diplomacia kulturore funksionon, politikanët s’kanë zgjedhje tjetër pos të nënshkruajnë”, përfundoi duke thënë gazetarja ukrainase.

Lukianchenko tha se ka pasur pak informacione për Kosovën, madje pohoi se i është dashur që të pajiset me një rusisht-shqip që ta ketë më të lehtë qasjen e udhëtimin për në Kosovë si dhe komunikimin këtu.

Këtu ajo bëri thirrje që prioritet të jenë shkëmbimet e hapat kulturorë, sepse sipas saj, kjo është çfarë ka rëndësi momentalisht.

Publikime te ngjashme