​Osmani takohet me Sveçlën, Haxhiun e Hoxhën, diskutohet nevoja për ndryshime në Kodin Penal

1 minute, 2 seconds Read

Pas rasteve të fundit të vrasjes së grave, presidentja Vjosa Osmani, ka mbajtur një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.

Në takim, Osmani shprehu shqetësimin e thellë në lidhje me  trendin alarmues të vrasjes së grave dhe nevojën urgjente që të fuqizohen të gjitha hallkat brenda institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, të cilat kanë detyrim kushtetues që ta mbrojnë jetën e qytetarëve tanë.

Përgjatë takimit u diskutua edhe nevoja e rritjes së ndëshkimeve e poashtu për ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal.

Osmani, ditëve në vijim do të zhvillojë takime me institucione të tjera relevante, me kërkesën për rritjen e masave parandaluese, reaguese dhe ndëshkuese në raport me kryesit e këtyre veprave.

Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë./Telegrafi

Publikime te ngjashme