Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot u pyet nga mediat për situatën me buxhetin e tri komunave: Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut. Ajo theksoi se ka kërkuar nga partitë politike të mblidhen dhe ta miratojnë buxhetin, i cili ishte i paraqitur si pikë e veçantë. Megjithatë, sipas saj, disa subjekte kanë vendosur të mos marrin pjesë në seancë. Osmani sqaroi se një veprim i tillë është i lejueshëm dhe nuk përbën shkelje ligjore, duke kujtuar se praktika e njëjtë ishte ndjekur edhe gjatë Qeverisë Hoti.
Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku aktualisht përballen me borxhe të mëdha, pasi buxhetet e tyre për vitin 2025 nuk u votuan në Kuvendet Komunale. Po ashtu, buxheti nuk mori mbështetje as në Kuvendin e Kosovës, ku partitë opozitare e konsideruan procesin të jashtëligjshëm dhe bojkotuan seancën e thirrur nga deputetët e VV-së.
Ndërkohë, në Komunën e Prishtinës nga sot është pezulluar puna e linjave të Trafikut Urban. Punëtorët e kompanisë kanë deklaruar se janë pa paga që gjashtë muaj dhe kanë protestuar fillimisht para Komunës, e më pas bashkë me kryetarin Përparim Rama edhe para Qeverisë së Kosovës. Rama ka kërkuar takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për të gjetur një zgjidhje të menjëhershme për qytetarët e kryeqytetit./lajmishqip.net
