Osmani s’iu beson institucioneve: Thotë se u kërcënua, por s’e raportoi rastin në polici

1 minute, 38 seconds Read
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është përballur me kërcënime dhe shantazhe për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj. Në një konferencë për media të martën, në të cilën njoftoi se ka refuzuar ta dekretojë Kryeprokurorin e ri të Shtetit, presidentja Osmani tha se është kërcënuar nga njerëz ‘të sistemit të drejtësisë’. Por, rastin nuk e ka lajmëruar në polici.

Ajo ka thënë se ka pasur presion dhe kërcënime të llojit ‘do të të ngrisim aktakuzë’, ‘do të bëjmë dosje’, ‘do të t’i lidhim duart’.

“Ka qenë presion i paligjshëm dhe jokushtetues dhe në kundërshtim me çdo praktikë të mëhershme të komunikimit ndërpresonal. Në anën tjetër, unë mund të them se ka pasur presione nga njerëz që dërgonin mesazhe: ‘do të të ngrisim aktakuzë’, ‘do të bëjmë dosje’, ‘do të t’i lidhim duart’”, tha Osmani.

Ajo e ka cilësuar shqetësuese faktin se zyrtarë të shtetit kërcënohen.

“Është shqetësuese kur zyrtarë të institucioneve tona të drejtësisë mendojnë se mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demokratik, këta që mendojnë se mund ta kërcënojnë kreun e shtetit do të dilnin jashtë sistemit”, tha ajo.

Megjithatë, Osmani ka treguar mosbesim ndaj institucioneve të vendit duke thënë se nuk e ka raportuar rastin pasi nuk ka sistem funksional të drejtësisë.

“Kjo është pyetje shumë me vend dhe përsëri kjo do të duhej të ishte procedura në rastet kur funksionon një sistem i drejtësisë, kjo është sikur të thuash, shko deponoje te ata që të kanë kërcënuar. Për këtë çështje do të flas ndoshta më në detaje në një periudhë të mëvonshme sepse insistimi ynë si Presidencë është që fokusi të jetë te vlerësimi i procedurës.”, tha Osmani. /Paparaci.com

Publikime te ngjashme