Republika e Moldavisë, një ndër vendet evropiane që ende nuk e njeh shtetin e Kosovës, ka ndërmarrë së fundi një hap të ri – lejon aplikimin online për viza për qytetarët kosovarë, duke u bërë kështu më e qasshme për vizitorët nga Kosova.
Ky zhvillim ndodh në një shtet që po balancon mes integrimit në Bashkimin Evropian dhe ndikimit të vazhdueshëm rus, në ekonomi, politikë, shoqëri e media.
Në fund të tetorit, në kryeqytetin Chisinau, u mbajt një punëtori ndërkombëtare për media, e organizuar nga Deutsche Welle (DW) me temën “Strategjitë e mediave sociale për publikuesit dhe transmetuesit në situata krize”.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të mediave nga rreth dhjetë shtete evropiane, përfshirë vendet e Ballkanit, Bashkimin Evropian dhe Moldavinë, për të ndarë përvoja mbi transformimin digjital dhe rolin e mediave lokale në kohë dezinformimi.
Në qendër të punëtorisë ishin videot e shkurtra, përmbajtja vizuale dhe mënyrat inovative për të rritur angazhimin në rrjetet sociale, si dhe ndërtimi i strategjive të komunikimit efektiv në periudha krizash.
Një theks i veçantë iu dha përshtatjes së redaksive tradicionale me platformat digjitale dhe ruajtjes së besueshmërisë dhe etikës profesionale në raportimin e lajmeve.
Adelheid Feilcke, përfaqësuese e DW-së, prezantoi strategjinë për videot e shkurtra, ndërsa Johanna Rüdiger ndau qasjen e DW-së për ndërtimin e strategjive të mediave sociale në situata krize.
Ndërkohë, sesioni “Newsfluencer, viral, trend & collabs” u përqendrua në bashkëpunimet kreative dhe formatet inovative të përfshirjes së audiencës në platformat digjitale.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitonin redaksi lokale, të diskutojnë për sfidat e mediave moldave dhe presionin politik mbi pavarësinë editoriale, veçanërisht përballë ndikimeve pro-ruse.
Në kuadër të programit u zhvilluan edhe vizita në “Ziarul de Garda”, një nga gazetat e pakta hulumtuese që ekspozon korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, si dhe në TV8, një kanal televiziv privat me qasje pro-evropiane, që shihet si alternativë ndaj mediave të ndikuara nga oligarkët dhe Rusia./lajmishqip.net






