Ministrat shqiptarë paralajmërojnë dorëheqjen nga Qeveria në Maqedoninë e Veriut, për shkak të kërkesave të maqedonasve

1 minute, 33 seconds Read

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, i cili mbante postin e ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ka paralajmëruar dorëheqjen së bashku me të gjithë ministrat shqiptarë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, pasi, sipas Osmanit, situata e integrimeve evropiane është në fazë kritike.

Ky veprim i ministrave shqiptarë ka ardhur si pasojë e kushtëzimit nga “kushtezimi i opozitës se do të votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria”.

“Ne ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japim dorëheqje nga postet që aktualisht jemi duke i ushtruar! Dorëheqjet, z. Kryeministër, efektuohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Sipas nënkryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Osmanit, shqiptarët po bëjnë sakrificë për hirë të integrimeve evropiane.

“Duke pasur peshën e integrimit si organizatë politike në 20 vitet e fundit, duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh, duke qenë të zgjedhur legjitim nga vullneti i votuesit shqiptarë, duke qenë të vetëdijshëm për shpresat dhe ëndrrën e njerëzve për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim me kryetar, Ali Ahmetin, mbetet i paepur në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian,si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare”, ka përfunduar Osmani.

Publikime te ngjashme