Media gjermane: Ukrainasit u përpoqën të likuidojnë Putinin me dron kamikaz të dielën

2 minutes, 15 seconds Read

Sipas një hetimi të gazetës gjermane Bild, shërbimi sekret ukrainas tentoi të vriste presidentin rus Vladimir Putin me një dron kamikaz.

Siç shkruan Bild, droni UJ-22 u ngrit në Ukrainë pasditen e së dielës. Është mjeti më modern ukrainas pa pilot me rreze të mesme veprimi me një distancë deri në 800 kilometra, transmeton Telegrafi.

Objektivi thuhet se ishte një park industrial i sapondërtuar pranë Moskës, që Putin ishte planifikuar të vizitonte atë ditë. Para se të arrinte në parkun Rudnevo, droni u rrëzua.

Aktivisti ukrainas Yuriy Romanenko, i cili thuhet se ka lidhje të ngushta me shërbimet e inteligjencës së Kievit, mori përgjegjësinë për sulmin në një letër.

“Javën e kaluar, oficerët tanë të inteligjencës morën informacione për udhëtimin e Putinit në parkun industrial Rudnevo. Prandaj, droni ynë kamikaz u ngrit, i cili kaloi nëpër të gjitha mbrojtjet ajrore të Federatës Ruse dhe u rrëzua jo shumë larg parkut industrial”, shkroi ai duke shtuar, “Putin, jemi më afër jush”.

Disa media ruse raportuan për rrëzimin e një droni UJ-22 pranë fshatit Voroskogo, në lindje të Moskës. Vendi i aksidentit është rreth 20 kilometra në lindje të parkut industrial Rudnevo.

Pamjet tregojnë se droni përmbante 30 ‘blloqe’ shpërthyese C4 me një peshë totale prej 17 kilogramëve. Ngarkesat shpërthyese M112 përdoren, ndër të tjera, nga ushtria amerikane dhe forcat e armatosura kanadeze.

Korrespondenti i Putinit në Kremlin, Pavel Zarubin, tha të dielën në mëngjes se presidenti planifikon të vizitojë një park industrial në Moskë. Ai nuk ka specifikuar se kur do të bëhet saktësisht vizita. Qytetarët që ndodheshin në park të dielën kanë postuar foto ku shihet lëndina gri përpara godinës kryesore të spërkatur me bojë të gjelbër.

Megjithatë, mbeti e paqartë nëse kreu i shtetit rus donte të vizitonte parkun industrial të dielën apo të hënën. Për arsye sigurie, vizitat e Putinit ndonjëherë bëhen një ditë para ose pas njoftimit.

Me sa duket, Putin nuk u shfaq në park. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të hënën: “presidenti rus Vladimir Putin po punon në Kremlin. Kreu i shtetit nuk po planifikon ndonjë ngjarje të madhe publike”.

Analisti ukrainas Sergei Sumleni tha për Bild: “Është e qartë se një sulm i saktë ndaj kreut të shtetit rus me një dron kamikaz është një mision pothuajse i pamundur. Por vetë fakti që një dron i tillë arriti në vendin që Putini planifikon të vizitojë, është një shuplakë në fytyrë për diktatorin rus”.

Publikime te ngjashme