Lojtari serb i Ajax-it, Dushan Tadiq, tall mesfushorin turk pasi çeli iftar në fushën e futbollit

1 minute, 54 seconds Read

Anësori serb i klubit Ajax, Dushan Tadiq, mbrëmë ka provokuar mesfushorin turk të klubit Feyenoord, Orkun Kökçü, pasi çeli iftar në fushën e lojës, transmeton Anadolu.

Lojtarët muslimanë të klubit Feyenoord, kapiteni i klubit Kökçü dhe Oussama Idrissi nga Maroku, gati 30 minuta pas fillimit të lojës kaluan në vijën anësore të fushës për të çel iftarin me ushqime të lehta. Ndërkohë, lojtarët e tjerë të klubit holandez pinin ujë pasi loja u ndërpre.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, lojtari serb e rrëzoi lojtarin turk dhe e shkeli këmbën e tij. Pasi dyshja shtynë njëri-tjetrin, Tadiq përmes një gjesti me dorë talli çeljen e iftarit nga Kökçü, pas çka loja pa momente të tensionuara.

Ajax ishte mysafir i ndeshjes me nikoqirin Feyenoord dhe mposhti atë me rezultat 1:2 në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Holandës që u zhvillua në stadiumin ‘De Kuip’ të Roterdamit. Skuadra fituese u kualifikua në finale.

– Tadiq refuzoi të mbajë shiritin e solidaritetit pas tërmeteve

34-vjeçari Tadiq, lojtar i klubit Ajax që nga viti 2018, më herët refuzoi të mbajë shiritin e solidaritetit “Lutuni për Türkiye-n dhe Sirinë” në një ndeshje të ligës holandeze.

Pas një presioni të lartë ndaj tij, ai shprehu ngushëllime për viktimat e tërmetit në llogarinë e tij në Twitter.

“Tërmetet në Türkiye dhe Siri më kanë tronditur thellë. Mendimet e mia janë me njerëzit që kanë humbur të dashurit në këtë tragjedi dhe të gjithë të prekurit në çfarëdo mënyre”, shkroi Tadiq më 14 shkurt, një javë pas tërmeteve të mëdha.

Si pasojë, në një ndeshje të mëparshme në muajin mars midis klubeve Ajax dhe Feyenoord, derbi në Holandë i quajtur “De Klassieker”, Kökçü refuzoi të shtrëngojë duart me Tadiq, duke e injoruar lojtarin serb para fillimit të ndeshjes në Amsterdam.

“De Klassieker” është një nga rivalitetet më të mëdha të futbollit në Holandë midis Ajax-it të Amsterdamit dhe Feyenoord-it të Roterdamit.

Tadiq është një lojtar i rregullt i ekipit kombëtar të Serbisë që përfaqësoi kombin e tij në Kupën e Botës FIFA 2022.

Publikime te ngjashme