LDK e refuzon ftesën e Presidentes Osmani

1 minute, 35 seconds Read

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka refuzuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për një takim konsultativ në lidhje me zhvillimet e fundit.

Përmes një shkrese të publikuar, Abdixhiku ka thënë se nuk është konsultuar paraprakisht nga Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së dhe propozuesi i kësaj iniciative, në lidhje me takimin në fjalë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend; në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO. Qasja e tij konfliktuoze, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresën e LDK-së.

Abdixhiku e ka informuar presidenten se shqetësimet e adresuara në Kuvendin e Kosovës “nuk kanë gjetur as mirëkuptimin më të vogël nga ana e Qeverisë së Kosovës”.

Në letër thuhet tutje se kjo parti s’mund ta pranojë e as tolerojë përplasjen e Kosovës me aleatët e saj.

“Për më tepër, LDK-ja nuk mund të jetë pjesë e asnjë diskutimi mbi këtë çështje”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.

Partia e dytë opozitare ka kërkuar që të ketë pozicionim të qartë kritik kundër (sic) popullizmit të Kryeministrit Albin Kurti.

“Në këtë ballafaqim, pozicioni i Presidentes është jetim; konform historisë sonë të lavdishme, konform zotimeve kushtetuese të pashkelshme, konform bindjeve të vet popullit të Kosovës”, thuhet më tej në shkresën e LDK-së.

Abdixhiku ka shprehur gatishmërinë që të takohet me presidenten në një rast tjetër por vetëm artikulohet qartë e publikisht përkrahja e asipiratës euroatlantike të institucioneve të Kosovës dhe

“refuzimin e politikave përplasëse e izoluese të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Publikime te ngjashme