Kurti: Kemi shënuar rezultate të shumta, jemi krenarë dhe ballëhapur

1 minute, 52 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë krenarë për arritjen e Qeverisë së tij në trevjetorin e qeverisjes. Duke shpalosur punën trevjeçare të tij si kryeministër, Kurti ka thënë se ka pasur punësim të të rinjve e formalizim të ekonomisë.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se falë mbështetjes së masave të ndërmarra nga Qeveria, mbi 30 mijë gra janë punësuar.

“Po i mbushim tre vjet qeverisje dhe kemi shënuar rezultate për të cilat jemi krenar dhe ballëhapur. Punësimi është më i lartë seç ka qenë ndonjëherë, kemi dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës, mbi 30 mijë gra më shumë kanë vende pune përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Në këtë mes ka edhe formalizma të punësimit, por formalizmi i ekonomisë është përpjekje vazhdueshme e qeverive dhe kur ai ndodh është poashtu sukses i Qeverisë”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit.

Kurti tha se në ekonomi kanë zbutur edhe hendekun eksport-import duke mbështetur prodhuesit vendorë e qarkullimi i bizneseve në vitin 2023. Kurti ka thënë se në qeverisjen e tij ka më shumë sundimit të ligjit e korrupsioni po luftohet, është ulur ilegaliteti e në të njëjtën kohë është rritur ligjshmëria.

Ka përmendur edhe mbështetjen për nëna lehona e fëmijët nën 16 vjeç. Ka thënë se e kanë mbajtur premtimin që arsimi i lartë publik të jetë falas.

Sipas tij, në shëndetësi, qeveria ka kaluar nga paradigma e menaxhimit në përmirësim dhe avancim.

“Po ulim përherë e më shumë listat e pritjes, duke rritur cilësinë dhe sasinë e shërbimeve, dhe se kemi kaluar ligjin për çmimin e barnave, i cili ul shpenzimet e qytetarëve për blerjen e tyre”, tha Kurti.

Ai shtoi se po investohet në aparatura moderne në të gjitha spitalet dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të ulur numrin e pacientëve që kërkojnë shërim jashtë vendit.

Tutje Kurti tha se vëmendjen, Qeverisë e ka pasur edhe trashëgimia kulturore ku janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë  kulturore.

Publikime te ngjashme