Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka alarmuar se tensionet e fundit në Lindjen e Mesme dhe turbulencat në tregjet globale të energjisë po reflektohen drejtpërdrejt në çmimet e karburanteve dhe artikujve bazë në Kosovë.
Sipas vlerësimit të tij, bllokimi potencial i ngushticës së Hormuzit dhe përshkallëzimi i konflikteve rajonale kanë nxitur rritjen e vlerës së naftës në bursat ndërkombëtare, duke diktuar kështu dinamikat e furnizimit edhe në tregun tonë vendor.
“Çregullimet në tregun e derivateve të energjisë janë pasojë direkte e luftimeve në Lindjen e Mesme, ku rëndësia e ngushticës së Hormuzit ka prekur zinxhirin e furnizimit global, duke u reflektuar në tërë Evropën, pavarësisht origjinës sonë të importit. Kërkesa e shtuar dhe oferta e kufizuar kanë prodhuar këtë paqëndrueshmëri të çmimeve; për ilustrim, një fuçi nafte prej 159 litrash sot kushton rreth 100 dollarë, që do të thotë përafërsisht 60 cent për litër në burim. Mirëpo, kur kësaj i shtohen kostot e transportit, premitë dhe taksat shtetërore, çmimi final rritet ndjeshëm. Duhet theksuar se Kosova nuk disponon rezerva të mjaftueshme as si shtet e as si biznes, kryesisht sepse derivatet e shtrenjta kërkojnë kapitull të madh financiar dhe normat e interesit nga bankat komerciale janë tejet të larta. Si pasojë, tregu ynë bazohet në furnizime ditore, të cilat e transferojnë automatikisht rritjen e kostos te konsumatori final”, ka shpjeguar Shahini.
Kreu i AKB-së paralajmëroi se nëse pasiguria në Lindjen e Mesme vijon, efekti i shtrenjtimit të naftës do të shpërndahet zinxhir në të gjithë sektorët ekonomikë, duke goditur transportin, industrinë prodhuese dhe xhepin e konsumatorëve.
“Shtrenjtimi i karburanteve godet direkt koston e transportit të mallrave dhe udhëtarëve, çka do të thotë se pritet rritje e çmimeve për shumicën e produkteve. Inflacioni aktual prej rreth 6% është tejet i lartë për realitetin tonë, andaj kërkohet përgjegjësi nga institucionet dhe politika që të sigurojnë stabilitet qeverisës në këtë kohë krizash globale. Kjo është jetike veçanërisht kur bota po përballet me luftën katërvjeçare në Ukrainë dhe frontet e reja në Lindjen e Mesme, ku shumë shtete janë të implikuara në forma të ndryshme”, vlerësoi ai.
Ai tërhoqi vërejtjen se rritja e kostove të transportit është një goditje direkte për ekonominë tonë, duke pasur parasysh varësinë e madhe që Kosova ka nga mallrat e importuara.
“Me një import që vitin e kaluar kapi shifrën prej rreth 7 miliardë eurosh, çdo rritje e kostos së transportit do të reflektohet detyrimisht në çmimin final të produkteve, qofshin ato të importuara apo vendore. Meqenëse energjia dhe nafta janë shtyllat e prodhimit dhe tregtisë, kjo situatë do të rëndojë shportën e konsumit ditor dhe mund të nxisë një inflacion të vështirë për t’u kontrolluar”, shtoi Shahini.
Bazuar në të dhënat zyrtare nga Dogana e Kosovës, çmimi mesatar i importit këtë të hënë, më 9 mars 2026, ishte 1.44 euro për litër për dizel dhe 1.17 euro për litër për benzinë.
Ndërkaq, monitorimi i tregut vendor në pikat e shitjes me pakicë tregon se dizeli po tregtohet nga 1.44 deri në 1.55 euro për litër, ndërsa benzina luhatet mes 1.26 dhe 1.31 euro për litër.
Ky nivel çmimesh rregullohet nga vendimi i datës 4 mars 2026, i cili kufizon marzhën tregtare në dy centë për shumicë dhe dymbëdhjetë centë për pakicë. Ky njoftim specifikon se marzha paraqet diferencën strikte mes çmimit të furnizimit dhe atij të shitjes në treg. ./lajmishqip.net

