KPK i reagon deputetit Berisha i cili kryeprokurorin e shtetit e quajti “bashkëpunëtor të regjimit të Millosheviqit”

1 minute, 21 seconds Read

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, të publikuar sot në Paparaci, “i cili me gjuhë shpifëse dhe të pavërtetë ka goditur figurën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi”.

Sipas Berishës, Qeveria Kurti ka tendencë ta rikthejë në skenë Besim Kelmendin, i cili pas përfundimit të mandatit të Aleksandër Lumezit, po i ushtron kompetencat e plota të kryeprokurorit të shtetit.

Mes tjerash, Berisha ka thënë se Kelmendi ka qenë bashkëpunëtor i regjimit të Millosheviqit.

“Është duke u kapur drejtësia, pastaj mbajtja peng e zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, dhe tendenca për ta kthyer në skenë një emër të përveçëm e që është Besim Kelmendi e që për neve është i njohur, sepse ka bashkëpunuar me regjimin e Millosheviqit, dhe kjo është dukur shqetësuese të Kosovës”, pati deklaruar Berisha në Euronews Albania.

Mirëpo, KPK-ja deklaron se kjo gjuhë e përdorur nga Berisha është e dëmshme dhe tërësisht e paqëndrueshme dhe “nuk përkon aspak me rolin dhe mandatin, të cilin e ka një deputet i Kuvendit të Kosovës”.

“Deklarimet e deputetit Berisha nuk janë gjë tjetër veçse një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sistemin prokurorial, sepse U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, është zgjedhur në këtë detyrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës si institucion i veçantë kushtetues, e jo nga Qeveria apo ndonjë institucion tjetër”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Publikime te ngjashme