Kosova bëhet me zyrtarin e saj ndërlidhës në EUROPOL

1 minute, 17 seconds Read

Në vazhdën e avancimit dhe rritjes së kapaciteteve në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, konkretisht të bashkëpunimit me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (EUROPOL), Policia e Kosovës (PK) ka dërguar zyrtarin e parë ndërlidhës në këtë institucion, transmeton Kosova Post.

Siç bëhet e ditur nga një njoftim i Policisë së Kosovës, zyrtari kosovar ditë më parë ka filluar zyrtarisht detyrën në EUROPOL.

“Qëllimi primar i PK-së vazhdon të mbetet avancimi i mëtejmë i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me EUROPOL-in, bashkëpunim ky i cili ndihmon dhe ndikon në lehtësimin e komunikimit dhe krijimit të një partneriteti të drejtpërdrejtë”, bëhet e ditur nga PK.

Ky bashkëpunim përfshin edhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet EUROPOL-it dhe institucioneve kosovare të zbatimit të ligjit, në angazhimin e vazhdueshëm të luftës së përbashkët “kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe të gjitha formave tjera të krimit”.

Kosova ka qenë vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, me të cilin EUROPOL-i nuk ka pasur marrëveshje bashkëpunimi dhe rrjedhimisht nuk ka pasur mundësi të shkëmbimit të informacioneve, me qëllim luftimin e krimit të rëndë dhe të organizuar.

Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë në mesin e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, por që kanë oficerë ndërlidhës në EUROPOL para Kosovës./aa

Publikime te ngjashme