Konfirmon Stoltenberg: Po e shqyrtojmë praninë e “qëndrueshme” në Kosovë

1 minute, 5 seconds Read

Sekretari i Përggjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka konfirmuar se në Samitin e Madh të ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare që mbahet të martën dhe të mërkurën, një nga top-temat e diskutimit do jetë situata e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Në një konferencë për media nga Brukseli, i pari i Aleancës Veri-Atlantike, tha se “kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë ndarëse e shkëputëse në Bosnjë Hercegovinë, dhe tentime malinje të ndërhyrjeve përfshirë ato nga Rusia”, njofton Klankosova.tv.

Ndërkohë, ai foli për një prani më madhore të NATO-s në Kosovë.

“Bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së (Josep Borrell) ne do të diskutojmë mënyrat që të rrisim stabilitetin në rajon. NATO-ja tashmë ka shtuar 1000 (njëmijë) trupa në Kosovë. Dhe ne jemi duke ekzaminuar një prani më të qëndrueshme në Kosovë”.

Ai i bëri thirrje Kosovës e Serbisë, që menjëherë t’i kthehen dialogut që udhëhiqet nga BE-ja.

“ Beogradi dhe Prishtina, duhet të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Stabilitetit varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë, në vend të konfliktit dhe kaosit”, tha Stoltenberg.

Publikime te ngjashme