Këshilli i Evropës i kërkon Serbisë t’i hapë arkivat e ushtrisë

5 minutes, 21 seconds Read

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, në letrat e saj drejtuar kryeministrave të vendeve anëtare nga hapësira e Ish-Jugosllavisë, ka kërkuar që të ndërmerren hapa konkretë për t’u ballafaquar me të kaluarën e dhunshme. Në rastin e Serbisë përmenden edhe zotimet që ajo i ka dhënë në kuadër të dialogut me Serbinë, siç është hapja e arkivave të ushtrisë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit

Serbia nuk ka shfaqur gatishmëri në gjykimin e kriminelëve të luftës dhe arritjen e drejtësisë tranzicionale, pas luftërave në ish-Jugosllavi, konstatohet në një raport të fundit të Këshillit të Evropës. Mbi bazën e tij, në letrën që Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në këtë organizatë, Dunja Mijatoviq, ia ka dërguar kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, konstatohen ngecjet vitet e fundit në adresimin e çështjeve nga e kaluara.

“Në vend që të përshpejtohen proceset për të arritur finalizimin, për t’u përballur me të kaluarën, ato janë ngadalësuar ose stagnuar vitet e fundit. Unë e konsideroj veçanërisht shqetësues, në disa vende, kthimin e diskursit etno-nacionalist, mohimin e mizorive të kohës së luftës dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës nga udhëheqës politikë dhe aktorë të tjerë shoqërorë me ndikim, si media, liderë fetarë dhe figura të tjera publike. Kjo po kontribuon në rritje të mprehtë të gjuhës së urrejtjes dhe jotolerancës ndëretnike dhe një mjedis gjithnjë e më armiqësor për mbrojtësit e të drejtave të njeriut që angazhohen për t’u marrë me të kaluarën”, shkruan në letrën e Mijatoviqit për Bërnabiqin.

Në këtë kontekst, siç thuhet në letër, është e nevojshme të theksohet se ballafaqimi me të kaluarën nuk është përpjekje e orientuar drejt së shkuarës, e cila do t’i pengonte vendet të ecin përpara, por parakusht për ndërtimin e shoqërive kohezive dhe demokratike, bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

“Ka lidhje të konsiderueshme midis dështimit për t’u përballur plotësisht me sfidat e së kaluarës dhe ato aktuale të të drejtave të njeriut në rajon, të tilla si gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi në rritje, dobësia e institucioneve të sundimit të ligjit, sfidat ndaj lirisë së tubimit dhe hapësirës qytetare, kërcënimet ndaj mediave, lirisë dhe dhunës me bazë gjinore”, shkruan në letrën e Komisioneres së KiE-së.

Si hap pozitiv për Serbinë në adresimin e këtyre çështjeve përmendet miratimi i Strategjisë Kombëtare 2021-2026 për ndjekjen e krimeve të luftës, si dhe miratimi i një strategjie në vitin 2020 për të përmirësuar mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve në çështjet gjyqësore dhe mbështetjen për kthimin vullnetar të refugjatëve nga vendet e tjera të rajonit.

Te pjesa e rekomandimeve përmenden edhe aspektet për të cilat shteti serb ka dhënë zotime në raport me Kosovën në dialogun e Brukselit ku është trajtuar zhdukja me dhunë e peronave nga lufta e fundit në Kosovë, siç është hapja e arkivave të ushtrisë.

“Të riangazhohen për një bashkëpunim efektiv rajonal në të gjitha fushat e ballafaqimit me të kaluarën, veçanërisht ndjekjet penale të krimeve të luftës dhe kërkimin e personave të zhdukur. Kjo përfshin ekzekutimin e kërkesave për ekstradim lidhur me krimet e luftës nga vendet e tjera të rajonit, kur këto janë vlerësuar pozitivisht nga sistemi gjyqësor vendas ose sigurimin që të dyshuarit të gjykohen para gjykatave serbe, në përputhje me detyrimin për ekstradim ose ndjekje penale sipas ligjit ndërkombëtar. Të hapen arkivat ushtarake për të lehtësuar kërkimin e personave të zhdukur”, shkruan aty.

Raporte të tilla janë nxjerrë edhe për shtetet e tjera anëtarë të Këshillit të Evropës nga hapësirat e ish-Jugosllavisë: Bosnje e Hercegovinën, Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e veriut.

Në pjesën e fundit të dokumentit nënvizohet përgjegjësia e autoriteteve në vendet përkatëse për të marrë masa që të ndalen këto zhvillime negative dhe të promovohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe e bazuar në të drejtat e njeriut për t’u përballur me të kaluarën.

“Në këtë drejtim, unë kërkoj ripërtëritje të përpjekjeve në gjykimin e krimeve të luftës, dëmshpërblimet, kërkimin e personave të zhdukur dhe kërkimin e së vërtetës, që do të përqendroheshin rreth nevojave të viktimave – pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe me vëmendje të veçantë për ata që priren të jenë të harruar. Unë gjithashtu bëj thirrje për një fokus urgjent sa i përket dimensionit mes brezave për t’u përballur me të kaluarën, duke përfshirë të rinjtë dhe duke i pajisur ata me kompetencë për të ndërtuar shoqëri paqësore, kohezive përmes edukimit të integruar, mësimdhënies së vërtetë të historisë dhe përkujtimit gjithëpërfshirës”, thotë dokumenti.

Për Kosovën nuk ka një raport të tillë, meqë ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës. Por, Kosova ka marrë zotime për respektimin e konventave të kësaj organizate, në të cilën e ka deponuar aplikacionin për anëtarësim në dhjetor të 2022-ës. Sa i përket krimeve të luftës dhe ballafaqimit me të kaluarën, Kosova në vitin 2015 ka themeluar një Gjykatë Speciale pas nxjerrjes së një raporti tjetër të Këshillit të Evropës, autor i të cilit ka qenë ish-senatori zviceran, Dick Marty. Mbi bazën e tij, tashmë janë ngritur disa aktakuza, përfshirë atë ndaj ish i udhëheqësve të lartë të UÇK-së, ndaj të cilëve po vijon gjykimi pranë Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, lidhur me dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Publikime te ngjashme