Katër fakte për marrëdhëniet serbo-ruse: Ja pse Rusia nuk ka qenë gjithmonë mike e Serbisë

8 minutes, 18 seconds Read

Teknikat e propagandës që synojnë formësimin e perceptimit të qytetarëve përfshijnë edhe fshehjen e fakteve që nuk e mbështesin atë propagandë. Në këtë tekst organizatës Demostat reflekton disa të vërteta të tilla historike për raportet ndërmjet “vëllezërve” serbë dhe rusë.

Shumica e qytetarëve serbë e perceptojnë Rusinë si një vend mik që qëndroi pranë popullit serb në momentet kyçe. Serbia ka vite që ndërton një mit për Rusinë si mbrojtëse e Serbisë, një vëllazëri që është miku i madh i tyre, vendi që i ndihmon më shumë ekonomikisht.

Kundërshtimi rus ndaj pavarësisë së Kosovës ndikon në qëndrimet e tilla të qytetarëve, por është fakt edhe se pushtetarët kanë nxitur ndjenja të tilla për vite me radhë dhe kanë ndërtuar një mit për Rusinë e pathyeshme dhe për të fuqishmin Vladimir Putin. Këtë e bënë duke përhapur propagandë pro-ruse, por edhe duke fshehur faktet për marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë në historinë e re, të cilat në fakt thonë se nuk ka dashuri, por interes të pastër.

#Fakti 1: Rusia vendosi sanksione ndaj Jugosllavisë në vitet nëntëdhjetë

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia mbështeti të gjitha rezolutat që vendosën sanksione ndaj ish-Jugosllavisë në vitet 1990 për shkak të luftërave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Sanksionet e para, të cilat kishin të bënin me ndalimin e eksportit të armëve në RSFJ-në e atëhershme, u vendosën më 26 shtator 1991. Më pas, më 30 maj 1992, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 757 për RFJ-në, e cila vendosi sanksione të ashpra ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, të cilët u caktuan si fajtorët kryesorë të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Rezoluta e fundit, e tretë erdhi në fund të marsit 1998. Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1160 për futjen e një embargoje për eksportet e armëve në RFJ me qëllim të mbështetjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në asnjë rast nuk e përdori të drejtën e vetos dhe nuk pengoi vendosjen e sanksioneve.

Me rezolutën e majit 1992, shtetet nënshkruese marrin përsipër të pengojnë importimin në territorin e tyre të të gjitha mallrave me origjinë nga Republika Federale e Jugosllavisë, t’i mohojnë lejen çdo avioni për t’u ngritur, ulur ose fluturuar mbi territorin e tyre, nëse është planifikuar të ulet ose është nisur nga territoret e RFJ-së. Me atë rezolutë u vendos gjithashtu që sportistët të mos marrin pjesë në aktivitetet sportive në vendet nënshkruese dhe u ndërprenë bashkëpunimi shkencor dhe teknik dhe shkëmbimet kulturore.

Në nëntor të të njëjtit vit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 787, e cila dënon shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, ndalon transportimin e naftës së papërpunuar, derivateve të naftës, qymyrit, pajisjeve të lidhura me energjinë, hekurit, çelikut dhe metaleve të tjera, kimikateve, gomës, automjete, aeroplanë dhe motorë të të gjitha llojeve dhe u bëjnë thirrje të gjitha vendeve që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që asnjë nga eksportet e tyre të mos devijohet në RFJ.

Nuk ka nevojë të kujtohet se këto masa çuan në mungesë të ushqimeve bazë në Serbi, burimeve të energjisë, ilaçeve dhe se ulën standardin e jetesës së qytetarëve të Jugosllavisë dhe rrënuan ekonominë serbe.

#Fakti 2: Rusia ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Malit të Zi në 2006

Rusia është vendi i tretë në botë që e njohu pavarësinë e Malit të Zi, edhe para se ta bënte Serbia. Mali i Zi dhe Serbia ishin pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë. Parlamenti malazez shpalli pavarësinë më 3 qershor 2006, pasi qytetarët votuan më 21 maj në një referendum për pavarësinë e shtetit. Shtatëmbëdhjetë vjet pas referendumit, Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe në rrugë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian.

Me dekret të Presidentit të Rusisë Vladimir Putin të 10 qershorit 2006, Rusia e njohu Republikën e Malit të Zi si shtet sovran dhe të pavarur, vetëm shtatë ditë pas shpalljes së pavarësisë. Marrëdhëniet diplomatike midis Moskës dhe Podgoricës u vendosën në nivelin e ambasadorëve. Rusia e bëri këtë përpara se Serbia të vendoste të njihte Malin e Zi të pavarur. Gjegjësisht, 12 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, më 15 qershor, Serbia e pranoi që ky shtet ekziston. Në të njëjtën ditë, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Boris Tadiq, njoftoi kolegun malazez se Serbia, në bazë të vendimeve të kuvendeve të Malit të Zi dhe Serbisë, njeh pavarësinë dhe sovranitetin e plotë shtetëror të Malit të Zi.

Që nga viti 1997, Mali i Zi ka pasur kryesisht një qeveri pro-perëndimore ose pro-amerikane. Megjithatë, njohja e shpejtë e pavarësisë së Malit të Zi nga Rusia nuk ishte një surprizë për zyrtarët malazezë në atë kohë, të cilët thanë se Moska e mbështet qartë orientimin e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian. Në atë kohë, investimet ruse në Mal të Zi ishin më se të mirëseardhura. Pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, rusët ishin një nga investitorët e huaj më të rëndësishëm. Ata ishin të interesuar më së shumti për sektorin e minierave dhe turizmit dhe blenë një numër të konsiderueshëm pasurish të paluajtshme në vend, si kompani ruse dhe si individë. Sipas disa të dhënave, qytetarët rusë zotëronin 40 për qind të pasurive të paluajtshme në Mal të Zi në vitin 2012.

Dhe megjithëse Rusia për një kohë e mbështeti ruajtjen e bashkimit shtetëror, në të njëjtën kohë ajo zhvilloi marrëdhënie të veçanta me Beogradin dhe Podgoricën.

Meqë ra fjala, qeveria e Islandës ishte e para që e njohu Malin e Zi dhe të njëjtën gjë do ta bënte edhe Zvicra menjëherë pas, shkruan Demostat.

#Fakti 3: Rusia armatosi intensivisht Kroacinë gjatë luftës në vitet nëntëdhjetë

Gjatë luftës në ish-Jugosllavi në vitet ’90, ushtria kroate mori armë nga Rusia. Me miratimin e ish-presidentit të Rusisë Boris Jelcin, 16 mijë tonë armë mbërritën në Pula dhe Kërk nëpërmjet tregtarëve të armëve në avionët e transportit rusë, pavarësisht embargos që ishte në fuqi në atë kohë. Bëhet fjalë për dy skuadrone avionësh luftarakë, disa skuadrile helikopterësh transporti e luftarak, armë antitank, raketa, granata, bomba. Zyrtarët rusë e mohojnë këtë, duke deklaruar se Rusia ka respektuar vazhdimisht detyrimet ndërkombëtare, përfshirë ato që lidhen me embargon për dërgimin e armëve palëve në konflikt gjatë krizës jugosllave të viteve 1991-1995. Më pas motivi i Jelcinit ishin paratë, por edhe dëshira për të kënaqur Perëndimin.

Në veçanti, duhet theksuar se Kroacia mori një pjesë të sistemit të mbrojtjes raketore kundërajrore S300 të prodhimit rus, i cili u shfaq në paradën përballë operacionit “Stuhia” në verën e vitit 1995, me qëllim që të largonte Beogradin nga një ndërhyrje të mundshme. Ai sistem raketor duhej të mbërrinte në Kroaci me miratimin e Rusisë. Beogradi zyrtar dhe publiku i Serbisë kishin pritshmëri të mëdha gjatë luftës së nëntëdhjetave kur ishte fjala për blerjen e këtyre armëve. Megjithatë, Serbia kurrë nuk arriti të marrë S300, një sistem i aftë për të shkatërruar të gjithë avionët në lartësitë 20 deri në 27 kilometra, si dhe në një distancë prej 200 kilometrash.

Nga ana tjetër, Kroacia ka marrë sistemin S300 para operacionit “Stuhia”, në mënyrë që ai të shërbejë si frenim psikologjik për forcat ajrore të RF të Jugosllavisë. Sipas pretendimeve të Zvonko Zubak, një biznesmen kroat që merrej me armë, i cili gjatë luftës ishte në një kompani që ishte furnizuesi kryesor i armëve për Kroacinë, sistemi nuk ishte shlyer kurrë, kështu që nga viti 2001 ai drejton një proces gjyqësor me shtetin në të cilin ai kërkon pagesë, kthim ose marrëveshje.

Mediat kroate shkruan se ushtarët kroatë janë trajnuar për sistemet raketore S-300 dhe se trajnimi është kryer nga rusë dhe bjellorusë. Ata gjithashtu theksojnë se armët erdhën edhe nga Ukraina dhe se pilotët kroatë të helikopterëve dyshohet se janë trajnuar nga bjellorusët.

#Fakti 4: Rusia u tërhoq nga Kosova në fillim të viteve 2000

Katër vjet pas pushtimit të aeroportit të Sllatinës afër Prishtinës në vitin 1999, rusët u tërhoqën nga Kosova.

Më 5 maj 2003, Presidenti rus Vladimir Putin mori një vendim për tërheqjen e forcave paqeruajtëse ruse nga territori i ish-Jugosllavisë. Më shumë se 600 ushtarë dhe pjesëtarë të Forcave Ajrore, të cilët ishin në njësitë e KFOR-it, janë tërhequr nga territori i Kosovës deri më 1 gusht. Ata ishin të vendosur në komunën e Kamenicës, në komunën e Skenderajt, si dhe në aeroportin kryesor të Kosovës, të cilin e kishin pushtuar me pompozitet katër vite më parë. Rusët më pas u tërhoqën nga Bosnja dhe Hercegovina. Sipas shefit të atëhershëm të Shtabit të Përgjithshëm, Anatoly Kvashnin, Rusia nuk kishte më interesa strategjike në Ballkan. /Ballkani.info

Publikime te ngjashme