Kandiq ka një porosi për Vuçiqin se si ta nis takimin me Kurtin në Bruksel

2 minutes, 9 seconds Read

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, ka dalë me një porosi për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, para takimit të këtij të fundit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, më 27 shkurt në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Në vigjilje të këtij takimi ka reaguar humanistja Natasha Kandiq, e cila i ka propozuar presidentit serb, që takimin ta nis me një deklaratë, që ka të bëjë me ndërtimin e një memoriali në Batajnicë, ku u groposën dhe dogjën kufomat e viktimave civile shqiptare të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

“Nëse takimi në Bruksel nis me deklaratën e Vuçiqit se Serbia do të ndërtojë një memorial në territorin e kampit të Njësisë Antiterroriste Serbe në Batajnicë në kujtim të 800 personave, të vrarë në Kosovë, të transferuar në kampin e policisë, ku përmes makinerisë dhe zjarrit u rrafshuan me tokë, do të fillonte ‘normalizimi’ i raporteve”, tha Kandiq, përmes një postimi në Twitter, transmeton Telegrafi.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

BE-ja tha se në këtë takim, temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohen me liderët, dhe më pas do të ketë një takim të përbashkët.

Edhe kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar se do të zhvillojnë një takim në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Publikime te ngjashme