Joseph thotë se Kosova duhet t`i ketë prioritet qëndrimet e SHBA-së

3 minutes, 21 seconds Read

Profesori amerikan në Universitetin John Hopkins, njohës i zhvillimeve në Ballkan, Edward Joseph ka deklaruar se Kosova ia ka borxh pavarësinë e vet Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai në një intervistë për RTK, tha se SHBA-të do të jenë gjithmonë mike të Republikës së Kosovës megjithatë theksoi qeveria me disa veprime po i rrezikon marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Pa mbështetjen e SHBA-së Kosova nuk do të ishte e pavarur dhe disa prej vendimeve apo veprimeve të qeverisë po e vënë marrëdhënien në rrezik. Jo në aspektin strategjik, sepse shtetet e bashkuara gjithmonë do të jenë mike të Kosovës, por që jemi në një periudhë tejet të rrezikshme, lufta në Ukrainë, jostabiliteti. Kosova është vend i vogël dhe po them diçka shumë qartë, nuk ka një gjë të tillë si vetëvendosje absolute, dhe këtë po e them qëllimisht sepse është emri i partisë politike që udhëheq shtetin, nuk ekziston ndonjë gjë si fjala vetëvendosje absolute”, deklaroi Joseph.

Ai gjithashtu tha se Kosova nuk mund ta projektojë vetveten në botë dhe nuk mund të mbrohet pa SHBA-të dhe NATO-n.

“Secili qytetar i Kosovës duhet t’ia bëj vetës këtë pyetje: Si të mbrojmë interesat tona kombëtare, duhet të kemi marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk do të thotë se të bëjë çdo gjë që SHBA-të e kërkojnë, por duhet gjithsesi që të merrni parasysh qëndrimet e Shteteve të Bashkuara më së pari”, theksoi profesori amerikan.

E duke komentuar deklarimet e zyrtarëve të lartë amerikan për çështjen e dinarit në Kosovë, Edward Joseph tha se pjesa më e madhe e kritikave janë të arsyeshme, por që sipas tij nuk është e arsyeshme pse SHBA-të nuk i kërkojnë llogari presidentit serb.

“Banka Qendrore është llogaridhënëse dhe kritikat ndaj vendimit janë korrekte. E kuptoj që vendimi vjen nga një qëllim i arsyeshëm por që të marrësh një vendim të tillë pa një konsultim të mirëfilltë jo vetëm me SHBA-të por më e rëndësishmja me qytetarët, është gabim”, tha Joseph.

“Republika e Kosovës ka të drejtën sovrane që t’a mbrojë vetën dhe të vendosë rregullore e të dijë se çfarë valutash hyjnë apo dalin nga vendi dhe normalisht të shpall valutën e vet. Dhe pastaj ka edhe përgjegjësinë e qeverisë e kjo përfshinë edhe Bankën Qendrore. Pra të dyja kanë përgjegjësi për të marrë parasysh të drejtat e qytetarëve. Pra edhe qytetarët që jetojnë në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok janë pjesë e qytetarëve të Kosovës. A janë konsultuar ata”, shtoi tutje profesori amerikan.

Kjo sipas Joseph do të ishte edhe një mundësi e mirë për të treguar dallimin mes Prishtinës e Beogradit.

“Do të ishte një mundësi për të thënë se Kosova bën të kundërtën me atë që Vuçiqi ua bën qytetarëve në Luginën e Preshevës”, theksoi ai.

Por sipas Edward Joseph, Kosova nuk ka nevojë ta anulojë vendimin e BQK-së.

“Nuk ka nevojë të anulohet vendimi. Vet vendimi është korrekt, është i njëjtë si vendimi për tabelat e veturave. Por e rëndësishme është se si qeveria i merr këto vendime, a i dëgjon qytetarët. Vendimi mund të rishikohet, e përmirësohet”, tha mes tjerash Joseph.

E duke folur për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe vendimin për pronat e Manastirit të Deçanit profesori amerikan tha se vendimi i qeverisë ishte vendimi i duhur dhe hap i madh i pritur gjatë.

Megjithatë ai tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk do të duhej të përdorej për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Publikime te ngjashme