Kryetari i Partisë Popullore në Serbi (NS) Vuk Jeremiq tha sot se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u përpoq të vendoset mbi popullin dhe në emër të popullit të vendos për çështjet më të rëndësishme shtetërore, siç është integriteti territorial i shtetit dhe të ardhmes së Serbisë.
“Referendumi për refuzimin e planit franko-gjerman për pavarësinë e Kosovës është e vetmja mënyrë për të parandaluar atë që Vuçiq ra dakord verbalisht në Bruksel dhe Ohër, që është një plan që e ndan Kosovën në mënyrë të përhershme dhe të pakthyeshme nga Serbia”, tha Jeremiq në Krushevc, ku foli me qytetarët që nënshkruan iniciativën e partisë për mbajtjen e referendumit.
Sipas mediave serbe, Jeremiq theksoi se rezultatet e para negative të zbatimit të marrëveshjes tashmë janë të dukshme.
“Dy ditë më parë, drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, u pajtua me tekstin e deklaratës për personat e zhdukur ‘në mënyrë të detyrueshme’ ose ‘ose me dhunë’ gjatë luftës së vitit 1999. Është pasoja e parë direkte e zbatimit të marrëveshjes franko-gjermane. Ai tekst lejon kërkesat për padi, sipas të cilave Serbia do të paguajë dëmshpërblim në vlerë astronomike prej qindra milionë eurosh, ndoshta edhe miliarda”, tha Jeremiq, transmeton Telegrafi.
Ish-shefi i diplomacisë serbe, Jeremiq u bëri thirrje autoriteteve në Serbi që të publikojnë dokumentin për të cilin Petkoviq është pajtuar në Bruksel.
I pyetur për sulmet ndaj gazetarëve të grupit mediatik ‘United Media’, Jeremiq u përgjigj se partia e tij dënon ashpër presionin ndaj të gjithë qytetarëve të Serbisë, veçanërisht ndaj gazetarëve.
“Sot jemi në një situatë ku si gazetarët ashtu edhe qytetarët janë të ekspozuar ndaj presionit të regjimit. Dje ishte redaktori i portalit ‘Srbin info’, Dejan Petar Zllatanoviq, sot je ti, nesër dikush tjetër”, tha Jeremiq.
Ai deklaroi se kjo është një “lloj sjelljeje që do të jetë gjithnjë e më e ashpër dhe më represive në të ardhmen, veçanërisht nëse zbatohet plani franko-gjerman, dhe Vuçiq mbetet garantuesi i vetëm verbal i zbatimit të atij plani.
“Atij do t’i jepet pastaj drita jeshile nga Evropa për të bërë atë që dëshiron dhe sulmet do të marrin një formë edhe më të rrezikshme në të ardhmen”, tha Jeremiq. /Telegrafi